Diaspora forca që mund ta kthejë drejtimin e Kosovës
Shkruan: Arlind Vokshi
Data 28 dhjetor mund të jetë datë e diskutueshme për mbajtjen e zgjedhjeve, për arsye të ndryshme praktike e organizative, por një gjë duhet të jetë e qartë, diaspora nuk është pengesë për zgjedhje. Përkundrazi, diaspora është mundësia më e madhe që Kosova të rikthejë ekuilibrin politik dhe të prodhojë ndryshimin që vendi ka nevojë.
Është e njëjta diasporë që e besoi fuqishëm këtë qeveri dhe i dha legjitimitetin më të madh historik. Por po e njëjta diasporë ka të drejtën dhe fuqinë ta ndëshkojë kur rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë, kur premtimet shndërrohen në zhgënjim, dhe kur qeverisja largohet nga interesat reale të qytetarëve.
Diaspora jonë nuk është e shkëputur nga vendi ajo është pjesë jetike e tij. Mijëra familje në Kosovë presin çdo vit bijtë dhe bijat e tyre që kthehen për t’u çmallur, për t’u kujdesur për familjen dhe për të parë vendin e tyre të origjinës. Askush nuk e njeh realitetin e Kosovës më mirë se ata që e shohin me sy kritik sa herë kthehen në atdhe. Ata e dinë diferencën mes fjalimeve dhe rezultateve, mes propagandës dhe realitetit.
Prandaj, ky është momenti që diaspora të marrë një rol edhe më domethënës, të dalë masivisht në votime, të krijojë balancën politike që i mungon vendit, dhe të sjellë ndryshimin që prek jetën e njerëzve që jetojnë çdo ditë me sfidat në Kosovë.
Kjo është arsyeja pse 28 dhjetori pavarësisht sfidave është një mundësi reale. Një shans për diasporën ta dëshmojë edhe një herë se është pjesë aktive e fateve politike të vendit, jo vetëm burim ekonomik.
Diaspora nuk është vetëm mbështetëse e vendit ajo është garancia që Kosova nuk humb drejtimin. Kur ajo voton, Kosova zgjohet. Kur ajo vepron, ndryshimi bëhet realitet. /2LONLINE/
