/2L ONLINE/ – I kishte blerë diku para 44 vitesh, në Prizren, në viitin e largët tashmë të vitit 1972, kur punonte si mësimdhënës në shkollën fillore “Bajram Curri” të Shurdhanit, prej gjiut të së cilës shkollë u themelua dhe ende gjallon e jehon vallja karadakçe e Ansamblit Autokton të Muzikës po me këtë emër të tribunit e kryengritësit shqiptar, Bajram Currit.
Mëpastaj, me të njejten veshje kombëtare mori pjesë nëpër qindra e qindra manifestime e festivale të këngës dhe valles burimore.
Si valltar i këtij ansambli u shqua nëpër Festivalet më me nam të kohës, së në festivalin Ballkanik të Folklorit në Ohër, në Zagreb, në Gjirokastër … e thuaja nëpër të gjitha qendrat kryesore të Kosovës e Maqedonisë.
Sa e sa herë u shpallën të parët dhe, përsëri nuk u ndalën…
Kjo veshje kombëtare me qindra herë u qull prej djersësh duke demonstruar vallen shqiptare të Karadakut, e njohur në Balkan eEuropë si valle e veçantë epike, me karakter burrëror e kryengritës dhe, me unin e saj të palëkundshëm prej këtyre trojeve.
Çuditërisht kjo veshje sfidoi edhe luftën e fundit në Kosovë dhe, pas 44 vitesh “vallëzim” nëpër skenat shqiptare e ndërkombëtare, gjeti prehje në Muzeun e Gjilanit, të cilit ditë e më shumë po i vijnë dhurime të llojllojshme por, tejet të vlefshme.
Bartësi i kësaj veshjeje, valltari e mësimdhënësi veteran e arsimit gjilanas,po me 44 vite punë të pandërprerë, Shaqir Rrustemi, të premten që shkoi, më 29 korrik 2016, ishte i kënaqur që ju dha rasti për t’ ia dhuruar zyrtares për Muzen në QRTK të Gjilanit, znj, Gjylshen Berisha, sepse sipas tij, kjo veshje bashkë me opingat tradicionale meriton të çlodhet këtu dhe, ta rrëfejë historinë e suksesshme dhe përplot rezultate të maratonës së saj 44 vjeçare. /2L ONLINE/