Dhuna në familje nuk është karakteristikë vetëm e familjes kosovare
/2L ONLINE/ – Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ), në bashkëpunim me Ekipin Monitorues të OSBE-së në Gjilan, ka organizuar të mërkurën një debat me rininë shkollore, në temën “Akltivizimi kundër dhunës në baza gjinore”, ku janë shkëmbyer përvoja, mendime e ide rreth kësaj dukurie negative në shoqëri. Gjylshen Berisha, kryesuese e KBGJ, ka thënë se qëllimi kryesor i kësaj tryeze është vetëdijesimi i rinisë, për t`u bërë pjesë e përpjekjeve për ndryshimin e konceptit mbi barazinë gjinore.
Fillimisht, ajo ka prezantuar aktivitetet e kësaj trupe komunale, e cila është themeluar para pesë mujave, në funksion të ngritjes së vetëdijes për nevojën e respektimit të barazisë gjinore.
Kristina Jovanovska, përfaqësuese e OSBE-së, tha se Kosova ka një kuadër të avancuar ligjor në sferën e luftimit të dhunës në familje, por sipas saj, duhet të shikohet se si funksionojnë këto raporte edhe brenda familjes.
Sadete Tërnava-Osmani, zyrtare e OSBE-së, pasi ka prezantuar aktivitetet që Zyra Regjionale i ka zhvilluar në funksion të përmirësimit të barazisë gjinore, i ka inkurajuar të rinjtë që të themelojnë grupe të vogla, të cilat do të merren me barazisë ginore, duke nënvizuar si shembull të mirë një projekt në Prishtinë, të titulluar “Bëhu burrë”.
Drita Rexhepi, koordinatore për ndihmë juridike, ka thënë se Problemi i dhunës në familje lidhet me personalitetin e një indivdi.
Elmina Mahumti, komandante regjionale e PK-së në Gjilan, ka thënë se nga këndvështrimi policor, dhuna në familje ka shënuar rënie gjatë këtij viti.
Vjollca Jakupi, koordinatore kundër dhunës në familje, pasi ka prezantuar punën e Mekanizmit komunal, ka thënë se shpreson që “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore” do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në raportin ndërgjinor.
“Shpresojmë se në vitet e ardhshme, çdo herë e më shumë njerëz do të fillojnë të flasin kundër dhunës ndaj grave dhe pse duhet të gjithë të punojmë së bashku për t’i dhënë fund kësaj dhune. Gjilani po dëshmon se është përkrah të të mbijetuarve të dhunës në familje dhe të dhunës në baza gjinore”, ka thënë Jakupi.
Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punës Sociale, ka kërkuar nga të rinjtë që të flasin hapur për dhunën në familje, ku ajo ekziston, sepse ndryshe, heshtja e rasteve e pamundëson luftimin e kësaj dukurie negative në shoqëri./2L ONLINE/
