Dhuna në Familje dhe Komuna e Gjilanit
Nga: Fadil ISUFI
(2L ONLINE) – Për 16 ditë duke filluar nga 25 Nëntor e deri më 10 Dhjetor në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, OKB e ka shpallur si ditë ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave e cila njihet edhe si 16 Ditë të Aktivizmit. Fenomeni i dhunës në familje për shoqërinë shqiptare është një koncept i ri i cili u ngritë lart në agjendën e përditshme falë pranisë së ndërkombëtarëve në Kosovë.
Dhuna në familje paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe rrënjët i ka në pabarazinë gjinore që është e pranishme sidomos në vendet në zhvillim. Ajo nuk njeh përkatësi etnike, religjioze apo status shoqëror. Është e pranishme kudo në botë dhe shkaqet që e shtyjnë njeriun në të janë të ndryshme duke filluar nga faktorët ekonomik, social e deri te ato personal.
Zakonisht dhuna mund të paraqitet në disa mënyra por më të shpeshta janë ato fizike dhe psikologjike. Edhe pse sot në media ne hasim shpesh të dëgjojmë si dhunë ndaj grave për shkak se rastet e raportuara në institucionet shtetërore më së shumti vijnë nga gratë, ajo përfshin edhe dhunën ndaj fëmijëve, burrave dhe të moshuarve.
Dhuna në familje për një shoqëri ka koston e saj apo pasojat. Zakonisht personat që kanë pësuar dhunë janë më pak produktiv për shoqërinë duke filluar nga vendi i punës e deri te sjelljet destruktive në shoqëri.
Kosova si shtet viteve të fundit ka aprovuar një mori mekanizmash ndërkombëtar për të luftuar këtë fenomen të shëmtuar shoqëror por rastet e raportuara në institucionet janë tejet të ulëta për shkak të mosbesimit të qytetarëve në institucione sidomos policisë dhe gjyqësisë dhe pamundësisë së shtetit që të ofroj mbështetje ekonomike për të mbijetuarat e për pasoj rikthimit të saj në ambient të dhunës. Pasi që dhuna në familje është një çështje tejet komplekse ku përfshinë shumë faktor socio-ekonomik, raportimi i rasteve vjen vetëm në rastet ekstreme apo pasi që gruaja të jetë e rrahur fizikisht nga burri i saj për të 5-në ose 10-në herë dhe kur i është rrezikuar jeta.
Komuna e Gjilanit në këtë ditë ka nevojë që të ndjehet krenare pasi që para tri viteve në bashkëpunim me UNKT në Kosovë si organ i OKB-ës është duke jetësuar Programin e Përbashkët kundër Dhunës në Familje të pesë agjencioneve ku bëjnë pjesë: UN Women, UNICEF, UNDP, UNFPA dhe OHCHR ku ka arritur rezultate të jashtëzakonshme duke e nxjerr këtë fenomen shoqëror nga kategoria e temave tabu.
Fal këtij bashkëpunimi Gjilani sot ka Strategjinë Komunale kundër Dhunës në Familje 2013-2018 me Kostim, dhe planin veprues që përfshinë 4 fusha. Për më tepër Gjilani pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, ka Mekanizmin Koordinues kundër Dhunës në Familje, ku bëjnë pjesë 13 institucione siç janë: policia, prokuroria, gjykata, qendra për punë sociale, enti rajonal për punësim,etj si dhe tri OJQ duke përfshirë edhe strehimoren ‘’Liria’’. Ky mekanizëm udhëhiqet nga koordinatorja komunale kundër dhunës në familje.
Kjo e arritur duhet të vlerësohet nga shoqëria jonë duke marr parasysh trajtimin serioz të këtij fenomeni nga organet komunale dhe anëtarët e mekanizmit koordinues të cilët e bën Gjilanin model jo vetëm në Kosovë por edhe rajon se si duhet të i qasemi kësaj çështje.
Komuna si mbështetëse kryesore e këtij mekanizmi për vitin e ardhshëm 2015 ka vendosur që ta fus në linjë buxhetore e që të njëjtën gjë ka paraparë edhe për strehimoren ‘’Liria’’.
Kuptohet se Gjilani është pjesë e kontekstit socio-ekonomik të Kosovës dhe një ndër problemet kryesore në trajtimin e të mbijetuarave të dhunës në familje mbetet riintegrimi ekonomik i tyre. Në rastin e Gjilanit si zgjidhje mbetet parandalimi i cili arrihet me vetëdijesimin e shoqërisë duke filluar nga shkolla fillore e deri te gjeneratat e moshuara dhe atë duke përfshirë të dyja gjinitë. Dialogu dhe toleranca në familje aty ku ka mundësi duhet të mbeten si vlerë kryesore në mes anëtarëve të një familje në raportet grua-burrë, fëmijë-të moshuar, reja-vjehrra duke marr në konsideratë mirëkuptimin për dëshirat e çfarëdo natyre në një anë dhe mundësit në anën tjetër.
Për 16 ditët e aktivizmit MK dhe OJQ të bashkuara do ta shënojnë me një mori aktivitetesh edhe kësaj radhe në Gjilan. Ku janë të ftuar, zyrtaret e institucioneve të ndryshme, shoqëria civile dhe mediat.
Sa më pak dhunë në familje më shumë paqe dhe harmoni do të kemi si shoqëri.
Autori është Koordinator Komunal i UNKT-së
Programi Dhuna në Familje
Zyra në Gjilan
