DYLON

Dhuna ndaj popullsisë shqiptare të Gjilanit me rrethinë pas pushtimit serb më 1912

Avatar photo Redaksia

/Fjalë e mbajtur me rastin e promovimit të monografisë së Mr. Enver Sadikut “Gjilani me rrethinë gjatë luftërave ballkanike 1912-1913” botim i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”,Gjilan-2015/

Nga: Naim Musliu

EkoHigjiena

/2L ONLINE/ – Në librin me titull “Gjilani me rrethinë gjatë luftërave ballkanike (1912 – 1913)” të autorit Enver Sadiku do të paraqes disa të dhëna për dhunën dhe terrorin serb ndaj shqiptarëve në këtë rajon të Shqipërisë. Vendosja e sundimit pushtues serb në vilajetin e Kosovës, në fund të vitit 1912, është pasuar me vrasje, plaçkitje, terror e masakra mbi shqiptarët. Kështu ndaj popullsisë shqiptare të Gjilanit me rrethinë, veprime më çnjerëzore ushtroi Armata e Tretë Serbe, njësitë vullnetare të komitëve serbë, që përkraheshin edhe nga serbët lokalë.

Diplomacia, shtypi ndërkombëtar i kohës, organizatat që u morën me pasojat e Luftërave Ballkanike, por edhe vetë socialdemokratët serbë, raportuan për krime të shumta ndaj popullsisë shqiptare. U rrahën e u keqtrajtuan dhe u vranë shumë qytetarë të pafajshëm, u vodh pasuria, u dogjën shtëpitë dhe u përndoqën mijëra shqiptarë.

Autori në këtë libër përshkruan se popullsia e Gjilanit me rrethinë dhe paria e saj, me rezistencë të armatosur u vu në mbrojtje të trojeve të veta edhe ndaj pushtuesit të ri serb. Nga ditët e para të depërtimit të ushtrisë serbe filluan të përdoreshin forma të ndryshme të dhunës mbi shqiptarët për t’i bërë ata lojal ndaj pushtetit të ri dhe për ta eliminuar rezistencën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Pasi ushtria serbe nuk arrinte qëllimin e saja, për t’i detyruar hyri nëpër shtëpitë e shqiptarëve, i merrte burrat dhe i pushkatonte. Kështu në Gjilan, për disa ditë numri i burrave të vrarë kishte arrit në 400 veta. Kurse për të ju ikur masakrave një pjesë e popullsisë së Gjilanit u larguan nga shtëpitë e tyre. Këtë e dokumenton edhe gazeta “Reichespost” (rraijhispost) që botohej në Vjenë, e cila shkruante se në Gjilan, ku shqiptarët nuk ishin të mbrojtur, gati të gjithë banorët janë vu nën zjarr dhe nën shpatë dhe se vetëm ata që kishin marrë arratinë shpëtuan gjallë.

Ky libër është i faktuar me shumë argumente për dhunën e ushtruar të ushtrisë serbe mbi popullsinë dhe shkatërrimin e pronës shqiptare pa dallim feje. Sipas autorit në fshatrat e Malësisë së Karadakut u rrënuan 29 katunde shqiptare, u dogjën e rrafshuan 280 shtëpi dhe janë vrarë e therur shumica e meshkujve. Nga ushtria serbe kanë pësuar rëndë fshatrat në thellësi të Malësisë së Kardakut, si Depca, Caravajka, Peçena, Kurexhajt e fshatra të tjera. Burrat e këtyre fshatrave pasi u kapën nga ushtria serbe, të lidhur u grumbulluan te Kodra e Peçenës dhe u masakruan në mënyrë më mizore. Në dy gropa që u hapën, mbi 160 burra të këtyre anëve u therën, u përvëluan dhe u dogjën nën zhurmën e daulles e të surleve. Masakër u bë edhe në fshatin Gruhali, ku u vranë 18 burra, gra e fëmijë, të cilët iknin nga shtëpitë e tyre. Në Pidiq, fshatarët bënë rezistencë përmasash të vogla, dhe gjatë luftimeve pati të vrarë e në shenjë hakmarrjeje u dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit bashkë me plevicat, ahuret e bagëtinë, ndërsa vrasjet e djegiet vazhduan edhe në fshatrat përgjatë Grykës së Karadakut në Haxhaj, Selishtë, Zhegër etj. Në Bresalc, në mënyrë barbare vritet Murat Bilalli me 26 bashkëluftëtarë të tij, që ishte bashkëpunëtor i afërt i Idriz Seferit. Të vrarë kishte edhe në fshatrat e malësinë e Zhegocit.

Në fshatrat Tërstenik, Vërban, Lubishtë dhe Gjylekar, u torturuan dhe u vranë 238 burra e gra. Për krimet e ushtrisë serbe në Lubishtë ishte njoftuar edhe komandanti i Divizionit të ushtrisë serbe të Kosovës, ku e njoftuan se ushtarët serbë kanë rrethuar fshatin dhe të gjithë fshatarët e moshës madhore i kanë nxjerrë jashtë, kanë bërë kontrollin e tërësishëm dhe e djegin tërë fshatit. Popullsinë e moshës madhe i kanë marrë në pyetje, dhe të lidhur i dërguan në pyll, ku më vonë fshatarët e Vërbovcit (i banuar me serbë) i hapën varret dhe në procedurë të shpejtë i dënuan.

Në krimet e kryera ndaj shqiptarëve morën pjesë edhe serbët lokalë, të cilët në forma të ndryshme kanë shtyrë ushtrinë për të kryer masakra ndaj shqiptarëve. Kështu për vrasjen e shqiptarëve në Mogillë raportohej se në kohën kur ushtria serbe po kalonte natën në Vërbovc, nga serbët lokal është njoftuar se në Mogillë (fshat i banuar me shqiptarë e serbë), në një shtëpi të shqiptarëve ka armë dhe se aty mblidhen shqiptarët dhe mbajnë takime. Ushtria bllokoi fshatin Mogillë dhe kreu kontrolle në atë shtëpi gjendeshin njëmbëdhjetë shqiptarë të cilët u gjykuan me procedurë të shpejtë dhe gjetën një pushkë me 54 fishekë.

Gjithashtu serbët kryen masakra dhe demonstruan dhunë edhe në Malësinë e Gollakut. Në dhjetor të vitit 1912, një ekspeditë e armatosur bashibozukë nga Kolloleqi, e udhëhequr nga mësuesi serb Llazar Zeqeviq iu vërsul Shipashnicës. Pas torturimeve të mëdha ndaj shqiptarëve, i ndau pesë veta, katër prej të cilëve i pushkatuan në malet e fshatit. Në Sfircë shpëtuan pa u djegur vetëm tri shtëpi. Nga dhuna serbe pësuan edhe qindra fshatarë nga Tygjeci, Sfirca, Hogoshti, Gmica, Zajçeci e fshatra tjera të Gallapit.

Në librin që sot po e promovojmë zë vend edhe dokumentimi i masakrave serbe edhe nga udhëheqja kishtare e burimet e huaja. Kështu autori përmend se Imzot Lazër Mjeda, arqipeshvk katolik i Shkupit, në raportin e tij, dërguar Vatikanit më 24 janar 1913, ka dhënë një njoftim të plotë, kurse në pjesën ku fliste për krimet e kryera në Moravë shkruante se njeriu tmerrohet kur i përshkruan vjedhjet, grabitjet dhe dhunimet e grave në mënyrën më barbare. Ai raportonte se në Tërstenik u vranë 60 njerëz, 32 në Smirë, 90 në Lubishtë, 20 në Vërban dhe në fshatin Komogllavë, që kishte 50 familje u vranë të gjithë meshkujt pa përjashtim… ata që mbeten gjallë nga pushkatimi u mbytën me bajoneta. Po ashtu njofton se edhe Gjilani është masakruar. Forcat serbe për të fshehur gjurmët e krimit kufomat i vendosnin nëpër shtëpi, të cilat më pas i kallnin.

Edhe konsulli austro-hungarez në Shkup e njoftonte Vjenën për aktet e dhunimit të grave shqiptare (të fesë katolike) në fshatin Letnicë dhe Shoshevë të anës së Gjilanit. Gazeta londineze Daily Telegraphbotoi korrespodencën nga Vjena për masakrat në fshatrat Shamare (afër Shkupit) Letnicë, Vërban, Sefer, Lubishtë, Gjylekar, Selicë etj. Për përdhunimet në këto fshatra, në fund të shkurtit të vitit 1913 shkruante edhe korrespondenti i luftës, i gazetës daneze “Riget”. Leo Freundlich në “Albanische Korrespondenz” më 20 mars 1913 të botuar në Vjenë, shkruante pos tjerash se në Lubishtë, oficerët serbë i shitnin gratë e fshatit si skllave, madje edhe për 400 piestra (monedhë).

Kurse në raportimin e Komisionit Ndërkombëtar ku flitet për Gjilanin, thuhet se ndaj popullsisë së Gjilanit kanë ndodhur masakra; qyteti është djegur e shkatërruar. E tërë kjo dhunë ishte e dirigjuar nga kreu i ushtrisë serbe, ngase kjo ushtri nuk bëri asnjë hap në ndaljen e vrasjeve, plaçkitjkeve, grabitjeve e dhunimeve të shqiptarëve, por ajo ishte nxitëse e këtyre krimeve dhe ushtria e kërkonte dhe urdhëronte që të zbatohej kjo dhunë ndaj popullsisë shqiptare.

Një lloj tjetër i presionit ishte edhe konvertimi me dhunë i shqiptarëve muslimanë dhe katolikë në fenë ortodokse, pastaj plaçkitja e pasurisë dhe e tokave, gjendja e rëndë sociale, varfëria ekstreme e djegia e shtëpive.

Edhe nëpërmjet planit të saj për përvetësimin e krerëve shqiptarë me ndikim, Serbia tentonte përmes këtij plani t’i shfrytëzonte për interesa të veta e nëse nuk do të mund t’ia arrinte këtij qëllimi, atëherë Serbia mëtonte që krerët shqiptarë t’i komprometonin para popullsisë shqiptar si njerëz të shitur. Duke arrestuar krerët shqiptarë, e në disa raste edhe anëtarët e familjeve të tyre, ku ushtria serbe synonte t’i detyronte shqiptarët e zonave të pushtuara që të rrinë të qetë dhe të mos i kundërvihen ushtrisë pushtuese serbe, gjë të cilën nuk e arritën pasi shqiptarët prisnin rastin e volitshëm për organizmin e një kryengritje të re.

Urojmë që ky të mos jetë libri i vetëm i mr. Enver Sadikut!