Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka mbajtur takimin tradicional “Kafja e mëngjesit” me bizneset që operojnë në komunën e Gjilanit.
Hamdi Malushaj nga Bordi i DhTIK-së, ka thënë se përmes këtyre takimeve po synohet që të adresohen të gjitha sfidat me të cilat përballen bizneset në këtë komunë, prandaj prania e kryetarit Alban Hyseni, do të mundësoj që të zgjidhen më lehtë të gjitha problemet.
Nga ana tjetër, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka falënderuar Dhomën për organizimin e kësaj ngjarje, derisa ka përmendur angazhimet që po bëhen për të mbështetur bizneset si me grante ashtu edhe në programe të ndryshme që mundësojnë rritjen e punësimit të të rinjve.
Në këtë takim, bizneset kanë adresuar problemet me të cilat ato po përballen, si dhe më shumë bashkëpunim dhe takime të përbashkëta.
Derisa kryetari Hyseni, ka premtuar se do të jetë bashkëpunues në zgjidhjen e të gjitha sfidave për të cilat komuna që e drejton ka kompetenca.
Para të pranishmëve, Zana Beqiri, menaxhere e Programeve Ndërkombëtare nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, prezantoi mundësitë që i ofron DhTIK për fondet e Bashkimit Evropian. /2LONLINE/