/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë u ka ofruar sot kultivuesve të dredhëzave dhjetëra shtande moderne, duke iu mundësuar kështu shitjen sa më të mirë dhe sa më të lehtë.
Ndihma e ofruar me këto shtande iu është komunikuar sot kultivuesve të dredhëzave nga nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu dhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, të cilët vizituan tetë plantacione të konsoliduara të dredhëzave që bëjnë afro 16 hektarë.
Me këtë rast, nënkryetari Rexhep Kadriu ka thënë se Komuna e Gjilanit po u ofron këtë mundësi këtyre kultivuesve, meqë janë prodhime jashtëzakonisht të mira dhe të sigurta.
“Gjatë vizitës nëpër plantacionet e dredhëzave pamë punë të mrekullueshme me produkte jashtëzakonisht cilësore, vendore që janë larg më të mirë sesa ato që importohen. Me këtë duam t’i japim përkrahjen e Komunës së Gjilanit të gjithë këtyre njerëzve të cilët merren me këtë punë sepse është një produkt shumë i sigurt dhe pa pesticide”, ka thënë nënkryetari Rexhep Kadriu.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ramiz Ramadani, meqë çështja e shitjes është çështja më delikate, prandaj është ky hapi i Komunës që në shitje të mos kenë problem këta prodhuesit.
“Gjatë vizitës në terren u kemi dhënë mbështetje të plotë të gjithë prodhuesve të konsoliduar të dredhëzës përmes ofrimit të mundësive të shitjes në qendër të qytetit. Ne i kemi disa shtande moderne, të cilat do të jenë në dispozicion të prodhuesve sikurse që do të jetë edhe hapësira publike në qytet. Meqë kjo veprimtari është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe çështja e shitjes është çështja më delikate, prandaj është ky hapi jonë që në shitje të mos kenë problem”, është shprehur drejtori i drejtorisë së Bujqësisë, Ramiz Ramadani.
Nga ana e tij, Ilir Murtezi, njëri nga tetë prodhuesit e dredhëzës së vizituar nga autoritetet komunale, ka falënderuar për mbështetje Komunën e Gjilanit, duke thënë se me disa pika në qytet shitja do të jetë më e sigurt.
Kjo nuk është hera e parë që Drejtoria e Bujqësisë së Komunës së Gjilanit ofron shtande për t’i dalë në ndihmë bujqve. Në gusht të vitit të kaluar janë shpërndarë dhjetëra shtande dhe kjo është vlerësuar shumë nga ana e bujqve, të cilët kanë arritur t’i shesin produktete e tyre pa ndonjë vështirësi. /2L ONLINE/