1. Rruga drejt fundit të sidës
Në fillim u duk sikur ishte tepër e mirë për të qenë e vërtetë, kështu që Dr. Hannah Gay, pediatre në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Misisipit, i kontrolloi edhe një herë të dhënat. Por, ato ishin sërish të njëjta dhe foshnja e lindur nga një nënë e infektuar me HIV, pas dy viteve, më nuk e kishte virusin. Foshnja ishte shëruar me sukses nga HIV-i. Foshnja, që kishte shenja të infektimit menjëherë pas lindjes, ishte në gjendje që ta largojë virusin, falë një kombinimi të ilaçeve kundër sidës, të cilat mjekët normalisht i përdorin për t’i trajtuar fëmijët më të vjetër dhe të rriturit. Kokteji i ilaçeve funksioni dhe virusi nuk është kthyer, madje edhe kur fëmijës nuk i janë dhënë më ilaçe. Kjo foshnjë ka prezantuar shpresë që nëse mjekët intervenojnë herët pas infektimit, mund të ekzistojë mundësia që të ndalet sëmundja.
2. Ndryshimet e reja dramatike të trajtimit të kolesterolit
Udhëzimet e reja të Shoqatës Amerikane të Zemrës dhe Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë ofrojnë informata në lidhje me mënyrat më të mira për trajtimin e kolesterolit. Nëse nuk keni histori të problemeve me zemrën, kjo do të thotë se ju duhet një kalkulator i ri, i cili llogarit faktorë, si: mosha, gjinia, historia e konsumimit të duhanit, diabeti, shtypja e gjakut dhe nivelet e kolesterolit. Të gjitha këto mund t’i ndihmojnë mjekut tuaj që të vendosë, nëse mund të përfitoni nga konsumimi i ilaçeve që e ulin kolesterolin të quajtura statine, të cilat mund të parandalojnë sulmin e parë në zemër ose në tru.
3. Testi i parë i shtatzënisë që tregon se sa jeni shtatzënë
Testet e shtatzënisë sapo janë bërë me një përditësim. Testi i avancuar i shtatzënisë ‘Clearblue’ me vlerësues të javëve është testi i parë i tillë i aprovuar nga Administrata për Ushqim dhe Ilaçe në SHBA, i cili jo vetëm që zbulon shtatzëninë, por edhe mat kohën e shtatzënisë, duke u bazuar në kohën që nga ovulacioni. Testi përdor nivelet e hormonit të njëjtë që sinjalizon shtatzëninë, gonadotropinën korionike të njeriut, për ta bërë vlerësimin e tij.
4. Klonimi
Duke përdorur qeliza të lëkurës së njeriut, Shoukhrat Mitalipov, profesor në Universitetin e Shëndetësisë dhe Shkencës në Oregon të SHBA-së, e ka aplikuar metodën e njëjtë, të njohur si transferimi nuklear, që ka prodhuar delen Dolly në vitin 1996, gjitarin e parë të klonuar në histori. Ai me sukses e ka futur një qelizë të zhvilluar të lëkurës në një vezore njerëzore, ndërsa kimikisht dhe me elektricitet ka stimuluar vezoren që të ndahet për të prodhuar qeliza burimore embrionale. Qelizat burimore shërbejnë si bazë qelizore për indet dhe organet e tjera të organizmit, ndërsa shpresohet që ato një ditë të mund të përdoren për të shëruar sëmundje të ndryshme prej asaj të Alchaimerit, deri te sëmundjet e zemrës dhe diabeti.
5. Një dozë e vaksinës në vend të tri prej tyre kundër HPV-së
Vaksina e human papilloma virusit (HPV) është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga lythat gjenitale dhe kanceri i qafës së mitrës, por vetëm rreth gjysma e vajzave dhe djemve të moshave 11 dhe 12-vjeçare kanë kompletuar të tri dozat e imunizimit. Për fat të mirë, nëse konfirmohet një studim ndërkombëtar, ata nuk do të kenë nevojë të vaksinohen. Shkencëtarët kanë zbuluar se një dozë e vetme e vaksinës ka gjeneruar 24 herë më shumë antitrupa sesa që janë prodhuar pas infektimit me virus, në një grup të femrave në Kostarikë. Edhe pse ende nuk është e qartë nëse këto nivele janë të mjaftueshme për të mbrojtur kundër infektimit, dhe ta reduktojnë rrezikun nga kanceri, rezultatet sugjerojnë që madhe një dozë është e mjaftueshme për të ofruar ca mbrojtje kundër HPV-së.
6. Rritja e flokëve
Zgjidhja e problemit të rënies së flokëve duket se qëndron në kthimin mbrapsht të qimeve të flokëve. Hulumtuesit në universitetin ‘Columbia’ njoftojnë se transplantimi i qimeve të flokëve, që përmbajnë edhe rrënjët, si dhe qelizat rreth tyre, mbrapsht, mund të jetë çelës për rritje të flokëve. Eksperimenti ka përfshirë pjesë të lëkurës nga fëmijët e bërë synet, të cilat më pas janë transplantuar në minj. Lëkura e prerë e është përdorur për shkak se nuk ka rrënjë të flokëve, kështu që kur qimet janë kthyer mbrapsht, lëshuan rrënjë dhe nuk kanë ndryshuar nga qimet origjinale.
7. Prezantimi i pilulës nga jashtëqitja
Si duket lukthi i njeriut përmban shumë mikrobe që bëjnë mirë. Ato ndihmojnë në tretjen e ushqimit dhe i mbajnë larg mikrobet që shkaktojnë sëmundje. Mbledhja e komunitetit mikrovial në një pilulë ka qenë ide e shkëlqyeshme e Dr. Thomas Louie-it nga Universiteti i Kalgarit në Kanada. Në mesin e 27 pacientëve që kanë testuar pilulat në formë xheli, asnjë nuk ka përjetuar sërish simptoma të infektimit me ‘Clostridium difficcile’. Ata kanë mirëpritur edhe mënyrën e re të përdorimit, që ishte një përmirësim nga alternativa: transplantet fekale, transportohen me tub prej hundës në lukth, që janë të sterilizuara dhe të liruara nga përbërësit më helmues.
8. Shndërrimi i vezoreve të kualitetit të dobët në të shëndetshme
Vezoret e kualitetit të dobët janë arsye pse shumë femra kanë probleme për të mbetur shtatzënë. Por, hulumtuesit në universitetin ‘Stanford’ kanë zhvilluar një teknikë, e cila u ndihmon femrave me pamjaftueshmëri të vezoreve për të prodhuar sërish vezore të shëndetshme e të pjekura. Procesi, i quajtur aktivim in vitro, përfshin mënjanimin e një vezoreje ose një pjese të indit të vezores dhe trajtimin në laborator me proteina dhe faktorë të tjerë, që ndihmojnë në zhvillimi e vezoreve të shëndetshme. Deri tani, nga 27 vullnetare që kanë provuar teknikën, pesë kanë prodhuar vezore të shëndetshme, një është shtatzënë, ndërsa një tjetër ka lindur një foshnjë të shëndetshme.
9. Pasuria gjenetike: Gjene të reja lidhen me Alchaimerin
Pothuajse një duzinë e gjeneve të zbuluara që lidhen me formën më të shpeshtë të sëmundjes së Alchamierit, e cila ndodh në vitet e vona të jetës, sjell në 24 numrin e gjeneve, për të cilat tani dihet se kanë të bëjnë me sëmundjen. Gjenet e reja janë të përfshira në reagimet imune të organizmit dhe në inflamacion, ndërsa këto dy janë të lidhura me ndryshimet në tru që lidhen me Alchaimerin. Me më shumë faktorë gjenetikë, hulumtuesit do të kenë më shumë njohuri për ilaçe, të cilat mund të kenë gjasa që t’i trajtojnë simptomat e humbjes së kujtesës dhe demencës, që janë shenja dalluese të këtij çrregullimi të trurit.
10. Detektimi i hershëm i sëmundjes së Parkinsonit
Në raportimin e parë për shenja biologjike, të cilat mund të shërbejnë si gjurmë të gishtërinjve për sëmundjen e Parkinsonit, hulumtuesit thonë se një panel i proteinave në lëngun kurrizor mund të ndihmojë në identifikimin e pacientëve në fazat e para të sëmundjes. Ekspertët shpresojnë që zbulimi do të nxisë nisjen e studimeve të reja për ta provuar mundësinë që ilaçet, që kanë dështuar te pacientët në faza më të vona, mund të jenë më efikase në kontrollimin e simptomave te ata në faza më të hershme të sëmundjes.