Nënat të cilat ushqejnë foshnjat me gji mund të jenë më të mbrojtura nga zhvillimi i artritit reumatoid më vonë gjatë jetës, tregojnë studiuesit kinezë.
Sipas një studimi të publikuar së fundi në revistën shkencore “Rheumatology”, gratë që japin gji janë më pak të prira për të zhvilluar këtë sëmundje që shkakton dhimbje, krahasuar me gratë të cilat nuk ushqejnë foshnjat me gji ose i ushqejnë për kohë më të shkurtër.
Studimi ka analizuar më shumë se 7,300 gra kineze mbi moshën 50 vjeçe. Nga to është kërkuar ta plotësojnë një pyetësor, ku kanë shënuar të dhëna për shëndetin e tyre, mënyrën e të jetuarit, përfshirë atë nëse kanë ushqyer foshnjat me gji dhe nëse kanë përdorë kontraceptivë.
Sipas rezultateve gratë gji-dhënëse ishin dyfish më të mbrojtura nga artriti reumatoid, krahasuar me gratë jo gji-dhënëse.
Artriti reumatoid prek më shumë femrat se meshkujt dhe, kur për të parën herë zhvillohet, ka tendenca t’i shoqërojë njerëzit gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës së tyre.