DYLON

Deshtë e leshtë, me kumbonë!

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Femi HALIMI

Ky është një tregim.

EkoHigjiena

Përrallat na çojnë në kohërat e lashta pa shenjë e fije dhe legjendat kujtojnë heronjtë. Mitet mësojnë për zotërat e shumtë të kohëve të lashta që ishin për vete dhe që njerëzit që i thërritnin në ndihmë, herë merrnin ndihmën e tyre -herë pësonin nga ta. Zotërat e lashtë ndaheshin në mes luftërave dhe merrnin krahët e mbretërve duke bërë luftën e njerëzve me anim.

Po një tregim ka një temë jete dhe ngjarja në tregim është e njëjtë me ngjarjet në jetën tonë të përditshme. Porse edhe tregimi është i njëjtë në mësim dhe porosi sikur përrallat, mitet e legjendat dhe qëllimi i tregimit është të mësojmë nga sprovimet e të tjerëve, që të dimë si të gjendemi në jetën tonë.

Pas gjithë këtyre, ka tregim që ngjason në mitet e legjendat dhe ka një përrallë brenda, -dhe kjo kështu e bën tregimin tërheqës dhe për mësim e qasje! Kështu një tregim për deshtë me kumbonë që u mblodhën e kuvenduan si të mbrohen nga ujku i ka të gjitha gjinitë e rrëfimit të këndshëm dhe na qasë në atë që na duhet për mësim.

Tregimi ky kështu thotë se,…u mblodhën deshtë me kumbonë dhe kuvenduan për ujkun që po u kanosej për çdo ditë të lume në kullosë. Çdo ditë ujku po merrte nga tufa dele e i zoti i tyre nuk po mund e ndalte dot. Deshtë kështu qanë hallin dhe menduan një mbrojtje. Një dash tha ti lidhej në qafë ujkut një kumbonë. I pari i deshve më i leshti e lëvdoi shumë për këtë. Deshtë u gëzuan kështu shumë dhe u çliruan në vend nga frika e ujkut. Kumbona do ta tregonte ujkun që nga larg dhe nuk do të mund të afrohej më tinëz. Kjo ishte zgjidhje e mençme!

Gjetën mandej një kumbonë. Po duhej dikush t’ia varte ujkut kumbonën!?…

–Kush do t’ia varte? Nuk kishte dash që do t’ia varte ujkut kumbonën.

Atëherë dashi i deshve, i pari, më i leshti, hyri në kuvend dhe tha:

-O deshtë e mi me shumë lesh! Një kumbonë do të na bënte me dije ujkun kur do të vinte siç po na vjen çdo ditë e po na merr dele nga tufa. Ne e gjetëm kumbonën, por kush do t’ia varë ujkut në qafë, nuk ka. Pasi është kështu, krejt çka mund të bëjmë është -të ruhemi kush si të mundet për vete, -se tjetër s’ka!

Kështu deshtë e leshtë, të mençur por të dobët, në pamundësi për ti varë ujkut kumbonën, e lanë këtë punë dhe u pajtuan me fatin.

Po dhe i zoti i tyre që edhe i ruante e i donte, në vend se ti varte ujkut kumbonën, ai u varte kumbonën dashit a deles që prinin të parat e tufës. Kumbona e prijësit kështu i ndihmonte ujkut të gjente tufën lehtë e shpejt, -sepse malësorët thonë se ujku nuk ka nuhatje!?

Një bari i prin tufës, i ruan dhe i kthen delet gjithmonë shëndosh e mirë në vend të vet dhe delet ia njohin zërin dhe i shkojnë pas. Po një dikush që u shkon prapa deleve dhe u grahë, ai ato i çon në thertore. Për këtë deleve u dilet para, me shpinë dhe me të butë dhe me zë të ëmbël ndillen. I zoti i tyre i thërret dhe ato e njohin zërin e tij dhe i shkojnë pas. Dhe i zoti i tyre i mbron e i ruan dhe po ka nevojë jep edhe jetën për to!

Porse ku ka një bari a një zot delesh tanimë që bën një këtë kështu? Kush do të jepte jetën për to?! Kush ka ndier se një bari ndonjëherë kumbonën ia vari ujkut e jo dashit a deles prijës të tufës dhe në një nevojë, dha jetën për to? Kurrë nuk ka ndodhë, -as ka për të ndodhë. Kjo është kështu -sepse delet janë dele, e ujqët ujq!

Ka një rast për një bari që ruan delet dhe po ka nevojë jep jetën për to, -porse ky i zoti i tyre kështu është diçka tjetër dhe delet janë dele tjera, tjetër racë e tjetër natyre. Por delet -dele siç janë, nuk ndodhi kurrë që të mund t’ia varnin ujkut një kumbonë, -që do ti shpëtonte nga ai. As pati kurrë bari a zot të deleve që për vete e punë të vet ti varte ujkut kumbonën.

Mbase janë dy ligje tokësore dhe dy tregime për delet?! Dosido, si ta marrësh, -përpjekje pati, dhe bashkimi i deshve u bë, dhe zgjidhja gjithkështu erdhi, dhe shumica dërmuese ishte kjo, dhe bënë shumicën për këtë vendim të urtë, dhe u siguruan se gjetën zgjidhjen, -porse këtë të mbramën, -që kumbonën ti varnin ujkut, -këtë kush nuk mund e bëri nga deshtë e leshtë e të majmë.

Kështu qenka kjo puna e deshve të leshtë me kumbonë! /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.