DYLON

Dëshpërimi dhe nostalgjia për kohën e Mareshalit-Tito!

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Tani ne mërgimtarët kur jemi me pushime në vendin tonë, patjetër që me vete sjellim edhe atë shprehinë e njohur nga orari pushues që kanë punëtorët atje pirjen e kafesë së mëngjesit që zakonisht bahet në ora nëntë. Dhe kështu fillon dita e zakonshme me një machiato pranë si dhe me shokë për rreth me të cilët diskuton “um die welt und gott” që thonë gjermanët e që në shqipen popullorçe do të thotë: për hallet e botës dhe zotin!

Shkruan: Ilmi ARIFI

EkoHigjiena

Pastaj vjen kohë dreke, që në perëndim zakonisht fillon nga ora dymbëdhjetë e mbaron në ora një. Konform kësaj, që në fakt na ishte bërë shprehi biologjike, veprova edhe unë dhe shkova të drekoj në një restorant aty afërt. Të them të drejtën, aty shkoj shpesh sepse është më lirë dhe afër nga aty ku banoj.

Pranë tavolinës ku isha ulur dhe kisha porositë dreken, ishte një tavolinë tjetër ku ishin ulur një i ri dhe një i moshuar, ndërsa në tavolinën tjetër fqinje qëndronin dy të moshuar. Ky që ishte afër meje për një moment hapi gojën dhe tha: – Ah Marshall, Marshall! Me tye s’ka pas. Dhe pa një, pa dy, ja priti plaku nga tavolina tjetër: -Eh asi burri si ai s’ka ma. Kur ishte ai i kemi pasur tana të mirat. Kishim punë, rrogë, jetonim mirë, kishim një pasaportë me të cilën udhëtoje nga ta donte qejfi. E tash na kanë shti n’gheto. Punë s’ka, fukarallëk sa të duash. Ai(mareshali) ish kanë shumë i mirë por ja që na s’ia kishim pas ditë.

Ndërsa ai djali i ri që ishte aty ishte kureshtar dhe pyeti: – Kush asht bre ai marshall? Ky më i vjetri që ishte me të i ja shpjegoi se ishte Tito.

Mua që ma kishte shkatërruar tërë jetën po ashtu edhe tërë familjes sime nuk më tingëlluan mirë këto epitete për mareshalin Tito! Kishim përjetuar dhe vuajtur shumë ne,viteve që kishim kaluar nëpër burgjet e regjimit të po këtij Tito-je. Kishim ikur dhe qëndruar dhjetëra vite në mërgim. Sepse ishim të ndjekur nga aparati i tij shtetëror.

Me thanë të drejtën, mua më erdhi inat edhe shumë rëndë kur i dëgjova këto fjalë ! Desha të ndërhyjë e t’u them se ky Josip B. Tito i tyre ka qenë një diktator komunist i cili popullit tonë ja ka sjellë shumë të këqija.

Por u përmbajta, sepse nuk e kuptova në ishin këto lëvdata për Titon ngase në të vërtetë e donin dhe shprehnin nostalgji për kohën e tij të ikur apo ishte ajo ana tjetër e medaljes se këta njerëz ishin lodhë nga skamja, korrupsioni, hajnia, papunësia e gjëra tjera të këqija që kanë kapluar shoqërinë tonë. E këta kështu flisnin nga hidhërimi dhe dëshpërimi i realitetit në të cilin jetojnë?!

Unë mbarova drekën dhe ika, e i lash ata duke thurur lëvdata për kohen e ikur, për epokën e Mareshalit! /2L ONLINE/