Derbi po afron! Trajneri i Dritës optimist, ka një porosi për “Intelektualët”

Derbi po afron! Trajneri i Dritës optimist, ka një porosi për “Intelektualët”

Dy rivalët lokal, FC Drita dhe SC Gjilani do të takohen të dielen në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll. Për çdo kë ky derbi, është ndeshja më e fortë dhe më interesante e futbollit kosovar, por jo vetëm.

Peshën e ndeshjes e ndjejnë edhe më shumë futbollistët dhe trajnerët, për të cilët triumfi në këtë derbi përkthehet me ‘pushtuesit’ e qytetit.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur rreth kësaj ndeshje, si dhe për kampionatin në përgjithësi.

“Çdo herë ndeshjet derbi janë të veçanta, këtë derbi e bënë edhe më të veçantë klasifikimi, objektivi i dy skuadrave të cilat luftojnë për dalje në Europë apo edhe titullin kampion”, u shpreh fillimisht Nuhiu.

Tutje, Nuhiu ka një kërkese të veçantë për tifo-grupin e tyre “Intelektualët”.

“Kërkoj nga “Intelektualët” të na mbështesin sikur deri tani që kanë bërë. Çdo herë të jenë afër neve, në momente suksesi të festojmë bashkë dhe në momente të vështira të jemi të bashkuar. Mendoj që të bashkuar ne do të arrijmë që në fund t’i shpërblejmë atë, me Europë, por Europa do të ishte edhe më e mirë me fitimin e kampionatit”, tha tekniku i Dritës.

Sa i përket fazës përgatitore, Nuhiu u shpreh se klubi i tij ka kaluar një fazë të tillë në mënyrën më të mirë të mundshme, kjo falë edhe kushteve të mira të cilat i ofron Turqia.

“Mendoj se skuadra është përgatitur mirë. E kemi kaluar fazën përgatitore shumë mirë. Kemi shfrytëzuar kushtet që ti ofron Antalia në maksimum. Atje kemi zhvilluar tri ndeshje me kundërshtarë shumë të vështirë. Jam munduar që çdo futbollist nëpërmjet këtyre ndeshjeve të ketë minutat dhe të vijë tek forma për ndeshjet kampionale”, shtoi ai per GKombi.

Ndërsa, për titullin e kampioni, Nuhiu shprehet i rezervuar duke cilësuar se janë katër apo pesë skuadra në luftë për tu shpallur kampion në fund të këtij sezoni.

“Gjasat për titull janë reale, por ka katër apo pesë skuadra që do të garojnë për këtë objektiv këtë sezon. Mendoj që do të jetë një garë e ngushtë deri në fund. Këtë vit kampionati është më ndryshe sepse çdo ekip ka mundur çdo ekip dhe kjo e bënë edhe më të zjarrtë kampionatin. Kam besim tek ekipi, kemi futbollist shumë cilësor dhe jemi duke punuar shumë me skuadrës, ku besoj se me këtë grup do të arrijmë qëllimet tona”, përfundoi Nuhiu.

Kujtojmë që Drita stinorin vjeshtor e përmbylli në pozitën e tretë me tri pikë më pak se lideri Ballkani.

Derbi i Gjilanit ndërmjet Dritës dhe Gjilanit zhvillohet të dielën me fillim nga ora 13:00.

KOMENTE