Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi i drejtohet me letër të hapur ministrit të arsimit

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi i drejtohet me letër të hapur ministrit të arsimit

Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), iu është drejtuar me një letër publike , ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi, lidhur me vlerësimin e mësimdhënësve.

Ja letra e saj e plotë:

LETËR MINISTRIT TË ARSIMIT, SHKENCËS DHE TEKNOLOGJISË, Z. SHYQIRI BYTYQI, MBI VLERËSIMIN E MËSIMDHËNËSVE

I nderuar ministër Bytyqi, për shkak se seanca e Kuvendit të Kosovës do të jetë edhe pak ditë, po ju drejtohemi përmes kësaj letre publike për të shprehur qëndrimin tonë rreth vlerësimit të mësimdhënësve, por edhe për të shprehur brengat e të gjithë mësimdhënësve, të cilët/të cilat, o tallen me deklarata publike të kryeministrit të Republikës së Kosovës, o tallen me lloj-lloj ideje të vënë në hapësirën publike rreth vlerësimit të tyre.

I nderuar ministër, e dëgjuam deklaratën e juaj publike lidhur me atë se të gjithë mësimdhënësit do të vlerësohen. Nuk jemi dakord me atë deklaratë dhe do t’i themi në këtë letër publike disa nga arsyet e mospajtimit tonë.

Së pari, ekziston Ligji për Inspeksionin e Arsimit në Kosovë, që vlen edhe për edukimin dhe arsimimin publik, por edhe për atë privat. Deklarata juaj mbi vlerësimin e mësimdhënësve, zhvleftëson krejt punën e Inspektoratit Arsimor, shmang rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Inspeksionin e Arsimit, e kështu me radhë.

Së dyti, deklarata se mësimdhënësit do të vlerësohen, ka nxitur reagime të mëdha nga vetë mësimdhënësit në mediet sociale e më gjerë. Mësimdhënësit nuk ndihen të frikësuar nga vlerësimi sikur e thoni ju, por ndihen të tallur, sikur u tallën nga shefi aktual i Qeverisë me “lojën e shahut”. Mësimdhënësit janë vlerësuar nga profesorët e universitetit, pasi kanë mbaruar provimet e lëndëve përkatëse dhe në fund kanë marrë një diplomë. Deklarata juaj mbi vlerësimin e mësimdhënësve, realisht edhe zhvleftëson krejt universitetet në Kosovë dhe qindra profesorë universitarë që vlerësojnë studentët.

Së treti, vlerësimi i mësimdhënësve nuk është kompetencë e ministrit të arsimit, shkencës dhe teknologjisë, sepse tek e fundit, ju nuk jeni as kompetentë për të vlerësuar mësimdhënësit. Për të vlerësuar mësimdhënësit, janë inspektorët e arsimit; për të vlerësuar mësimdhënësit, janë institutet pedagogjike, të cilat mungojnë në Kosovë.

Së katërti, vlerësimi i mësimdhënësve përgjatë punës së tyre, duhet të bëhet nga inspektorët e arsimit. Po ashtu, secila shkollë në Kosovë, sikur edhe universitetet e kolegjet, duhet të kenë një zyre për cilësi, e cila do ta bënte matjen e performancës së mësimdhënësve, duke aplikuar pyetësorë e lloj-lloj vlerësimi profesional për çdo vit shkollor. Në këto zyre cilësie, do të mund të punësohej edhe nga një profesionist i menaxhimit të burimeve njerëzore.

Së pesti, nuk mund të akuzohen vetëm mësimdhënësit për rezultatet e dobëta të PISA-s. Është gabim të reduktohet përgjegjësia vetëm në një palë. Në Kosovë ka një etje të madhe për të arsimim dhe kjo duhet vlerësuar shumë, e jo përqeshur sikur ndodh shpesh. Por nuk mund të ngelet përgjegjësia vetëm në një drejtim, por në shumë faktorë.

Kosova ballafaqohet me kushte të rënda ekonomike, papunësi të lartë të të rinjve, e veçmas të vajzave e grave, izolim të popullatës nga mungesa e liberalizimit të vizave, me zhgënjim gjeneral se si zvarriten e drejtohen proceset politike në Kosovë, duke e ulur motivimin e shoqërisë në të gjitha sferat e jetës shoqërore, arsimore e kulturore.

Mësimdhënësit sot nuk ballafaqohen me nxënës që nuk janë inteligjentë, madje e kundërta është e vërtetë: mësimdhënësit besojnë se të rinjtë tanë janë shumë inteligjentë. Atyre u mungon motivimi; ata dhe ato nuk nxiten të mësojnë më shumë se thonë ‘nesër’ nuk mund të punësohen askund. Pra, mësimdhënësit sot nuk ballafaqohen si shumicë, me inkompetencë profesionale, apo me nxënës të dobët apo pa inteligjencë, por me nxënës të motivuar dobët, për shkak të krijimit të atmosferës zhgënjyese për të ardhmen. Por nxënësit tanë janë shumë inteligjentë e me shkathtësi të lartë të teknologjisë e njohjes së gjuhëve të huaja, përkundër rezultateve të dobëta në PISA. Të rinjtë nuk shohin perspektivë për të ardhmen e tyre dhe shumë prej tyre ëndërrojnë të ikin jashtë vendit. Prandaj, kjo nuk ndryshon me një vlerësim kuturu të mësimdhënësve, por me ide, plane, vizione dhe qasje pozitive ndaj personelit shkollor, administrativ e teknik.

Mësimdhënësit duan klasë me numër më të vogël të nxënësve, të cilën duhet ta mendoni si ministër. Mësimdhënësit nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare për aktivitete e vizita studimore me nxënësit e tyre, për të cilin fond financiar, duhet të mendoni ju si ministër. Mësimdhënësit janë duke u ballafaquar me lloj-lloj eksperimenti me kurrikula, ku krejt energjia përqendrohet në punë teknike dhe administrative, sesa si të jenë sa më tërheqës e motivues për nxënësit gjatë mësimdhënies. Po ashtu, a nuk është e padrejtë që kushdo që vjen në krye të ministrisë, të hedh faje te mësimdhënësit?

I nderuar ministër, në vend të deklaratave publike mbi vlerësimin e mësimdhënësve, duhet menduar me plane konkrete që ju takojnë juve si ministri e arsimit, shkencës dhe teknologjisë. Pse nuk kërkoni ta takoni kryeinspektorin e arsimit, inspektorët e arsimit dhe inspektorët në zyrën rajonale të arsimit, sikur e parasheh organizimin e këtij institucioni, Ligji për Inspeksionin e Arsimit në Kosovë?

Pse nuk identifikoni sfidat e inspektorëve të arsimit? Pse nuk kërkoni trajnimin e inspektorëve të arsimit, por të mësimdhënësve?

Pse zhvleftësoni punën e Inspeksionit të Arsimit, duke mos e bërë pjesë të vizionit për zhvillim të cilësisë së monitorimit dhe vlerësimit të mësimdhënësve?

Pse nuk diskutoni me mësimdhënësit nëpërmjet tryezave e takimeve direkte me ta, për të kuptuar sfidat e arsimit parauniversitar, por komunikoni vetëm përmes medieve?

I nderuar ministër, a keni pyetur se a ka nevojë për më shumë inspektorë të arsimit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës?

A e dini sa pak inspektorë të arsimit ka në tërë Kosovën?

A keni bërë analiza financiare se sa do t’i kushtonte MASHT-it rritja e numrit të inspektorëve të arsimit?

A keni bërë ndonjë analizë mbi nevojën e trajnimeve për inspektorët e arsimit?

A keni diskutuar me drejtoritë komunale të arsimit për ide të reja rreth cilësisë në mësimdhënie, takimit me drejtorë të shkollave, mësimdhënës, nxënës, prindër?

I nderuar ministër, deri në pyetjet dhe diskutimet tona të ardhshme parlamentare dhe ballafaqimet në komisionin përkatës, ju kisha lutur të tërhiqeni nga ideja për vlerësimin e mësimdhënësve, pasi që mësimdhënësit janë vlerësuar në universitetet ku i kanë marrë diplomat nga qindra profesorë universitarë dhe ju nuk mund t’i notoni si ministër! Krejt çfarë është kompetencë e juaja është të hartoni politika publike arsimore, të cilat nxisin funksionalizimin efikas e cilësor të organeve që bëjnë vlerësimin dhe monitorimin e mësimdhënësve.

Hapin e parë që duhet ta bëni është ta ktheni vëmendjen edhe drejt Inspeksionit të Arsimit, i cili sipas ligjit, është organ ekzekutiv në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e t’i ndalni hajgaret me vlerësimin e zhvleftësimin e mësimdhënësve!

Është koha për të ndalur degradimin e portretit të mësimdhënësit kosovar në sytë e nxënësit! Është koha për të lënë anash paragjykimet dhe përgjithësimet për mësimdhënësit nga institucioni më i lartë i arsimit, sikur është ministria që ju e drejtoni aktualisht!

Me respekt, Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete e Kuvendit të Kosovës

KOMENTE