Deputeti boshnjak nga Sanxhaku në Kuvendin e Serbisë, njëherit kryetar i Këshillit Kombëtar Boshnjak (KKB), Sulejman Uglanin, ka uruar kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Luginë të Preshevës.
“Iu urojmë në mbajtjen me sukses të seancës konstituive dhe formimin e Asociacionit të Komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, thuhet në telegram urimin e nënshkruar nga kryetari i KKB-së, Sulejman Uglanin, transmeton Titulli.com.
Më tej në telegram thuhet: “Konsiderojmë që në këtë mënyrë keni siguruar parakushtet për një realizim efikas të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. Ne shpresojmë se me formimin e Asociacionit të Komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, janë pjekur kushtet për zhvillimin e shpejtë ekonomik të Luginës së Preshevës dhe përdorimin efikas të fondeve të BE-së për bashkëpunim ndërkufitar”.
Duke iu drejtuar kryetarit Musliu, Uglanin thekson: “Edhe njëherë iu përgëzoj juve dhe bashkëpunëtorët tuaj, si organi më legjitim përfaqësues i shqiptarëve në Serbi, keni arritur të i mblidhni të gjithë faktorët politikë në favor të të mirës së popullit tuaj dhe Luginës së Preshevës”.
Duhet theksuar se ky është urimi i parë për iniciativën e themelimit të Asociacionit të komunave shqiptare të Luginës së Preshevës, i cili vije nga politikanë joshqiptarë në Serbi, që nga votimi për Asociacionin i bërë më 12 shtator në Preshevë.