Deri në 34 mijë euro i marrin brenda vitit deputetët e Kuvendit të Kosovës në emër të pagave, pjesëmarrjes në komisione, seanca plenare, shpenzimeve të udhëtimeve etj.
Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta “Zëri”, mesatarja e të ardhurave mujore të ligjvënësve kosovarë kalon shifrën prej 2800 euro, përderisa disa prej deputetëve ankohen se të ardhurat e tyre, krahasuar me drejtuesit e kompanive publike, janë dukshëm më të ulëta.
Në “top-listën” e deputetëve me më shumë të ardhura për vitin që lamë pas janë: Enis Kervan me 33 mijë e 870 euro të ardhura bruto, Petar Miletiq me 32 mijë e 783 euro, i cili pasohet nga Safete Hadergjonaj e PDK-së me 32 mijë e 102 euro, pastaj Alber Kinolli me 32 mijë e 45 euro, Ardian Gjini i AAK-së me 31 mijë e 778 euro, Arben Gashi i LDK-së me 31 mijë e 683 euro, Jelena Bontiq me 31 mijë e 899, Rasim Demiri me 30 mijë e 897 euro dhe Goran Marinkoviq me 30 mijë e 68 euro etj.
Deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Financa, thotë se çështja e pagesës së deputetit është e rregulluar me rregullore dhe gjithçka është brenda atyre rregullativave.
“Ato që më kanë takuar i kam marrë, por asnjë cent që nuk më ka takuar dhe që nuk është e paraparë me rregullore nuk e kam marrë. Edhe nëpër seanca dhe komisione, ku edhe jam kryetare kam qenë e rregullt dhe se kam asnjë mungesë, në përjashtim kur kam qenë jashtë vendit”, ka thënë ajo. (Zëri)