DYLON

Deputetët e Vetëvendosjes vizituan familjet e të vrarëve në Koshtovë e Dumnicë

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Një javë pas vrasjeve që ndodhën në Koshtovë dhe Dumnicë, asnjë përfaqësues i institucioneve qendrore nuk e ka vizituar as familjen Brahimi në Koshtovë, të të vrarit 15-vjeçar dhe dy vëllezërve të plagosur që vazhdojnë kurimin në QKUK, e as familjen Mehmeti, të 44-vjeçarit që u vra në Dumnicë.

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Aida Dërguti, Glauk Konjufca dhe Shqipe Pantina, vizituan familjet e të vrarëve më 27 dhe 29 gusht në Koshtovë të Mitrovicës dhe në Dumnicë të Besianës.

EkoHigjiena

Në të dy familjet diskutimi kryesor ishte ai i sigurimit të të ardhurave. Pamundësisë për të gjetur punë të sigurt e shoqëruar kjo me mungesën gati të plotë të sigurisë së jetës në zonat ku jetojnë e përpiqen të punojnë.

Gjatë vizitës në familjen e të ndjerit Ardian Brahimi në Koshtovë, deputetët e VETËVENDOSJE!-s dëgjuan nga familjarët tmerrin e përjetuar pas sulmit të ndodhur në ora 8:00 të mëngjesit, ku të tre vëllezërit teksa ktheheshin nga mali me traktorin e ngarkuar me dru, ishin sulmuar në territorin e fshatit Koshtovë. Vëllai më i vogël ishte vrarë, kurse dy vëllezërit e tjerë ishin plagosur dhe kishin arritur të shpëtonin vetëm pas thirrjes për ndihmë nga një fqinj i tyre që kishte lajmëruar fshatin dhe policinë. Kjo e fundit kishte ardhur vetëm pas dy orësh, kurse të plagosurit që kishin marrë plagët në orën 8:00, rreth orës 12:00 u dërguan në spital. Gjendja e tyre e rëndë ka pasuar edhe për shkak të gjakderdhjes dhe vonesës së ofrimit të ndihmës.

Për më tepër, deputetët u njoftuan nga familjarët edhe për bisedën që kishin dëgjuar nga policët prezentë, ku shumica e policëve kishin refuzuar të shkonin në vendngjarje duke mos dashur që të përfundojnë si Enver Zymberi.

Po ashtu, edhe në vizitën e bërë familjes së të ndjerit Fatmir Mehmeti në Dumnicë, deputetët e VETËVENDOSJE!-s u njoftuan nga të afërmit për detajet e ngjarjes së ndodhur më 27 gusht në këtë fshat. Ata treguan se i ndjeri Mehmeti po priste dru në mal, si burim i vetëm i të hyrave në familje, për t’i rritur 4 fëmijët e tij. Pra, mungesa e punësimit dhe varfëria e madhe e shtyri të ndjerin që ta bëjë një punë të tillë.

Familjarët e të ndjerit Fatmir Mehmeti ishin tepër të indinjuar me deklaratën e ministrit Bajram Rexhepi, kur ky i fundit tha se xhandarët serbë janë në të drejtën e tyre për t’i mbrojtur pyjet.

Vrasjet e 27 dhe 29 gushtit në fshatrat kufitare janë tregues i rënies gati totale të instrumenteve shtetërore që garantojnë sigurinë fizike, ekonomike e sociale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përveçse u shpreh ngushëllimet për familjarët dhe i uron shërim sa më të shpejtë të plagosurve, iu bën thirrje institucioneve të Kosovës që medoemos të shprehen dhe të marrin masa për këto raste.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.