Depresioni

Depresioni

Depresioni është çrregullim mendor që ndikon negativisht në ndjenjat e personit,mënyrën se si mendon (mendime negative) dhe në sjellje. Depresioni shkakton ndjenjën e pikëllimit,humbjen e interesit në aktivitetet që më parë kanë sjellë kënaqësi si dhe ndryshimin e gjendjes së humorit që ndikon në aktivitet ditore. Depresioni përfshinë: emocionet, motoriken, motivimin.

Shkruan: Edon Buca

Pra depresioni shkaktohet nga disa faktorë të jashtëm dhe të brendshëm të individit.
 në raste kur kemi të bëjmë me ndryshime të mëdha në jetë, si vendbanimi ose puna
 kur njeriu humb njerëz te rëndësishëm të jetës së tij
 në rastet kur njeriut nuk i mjaftojnë energjitë të triumfojë mbi sfida të reja e të mëdha
 përshtatja ndaj një kulture të re ose mësimi i gjuhës së re
 pamundësia e integrimit në shoqëri dhe në tregun e punës

Depresioni (latinisht depressere, depressus: i ngjeshur, shtypur poshtë) është një nocion kompleks. Disa nga simptomat me të cilat karakterizohet depresioni janë: gjendja vazhdimisht trishtuese dhe anksioze,ndjenja e mungesës së shpresës, fajit, të pesimizmit,problemet me përqendrim,kujtesën apo marrjen e vendimeve, ngecje në të menduarit , të shprehurit dhe në gjumë. Pra personat me depresion mendojnë vetëm keq.

Sa e dëshirueshme është situata e tanishme, në të cilën gjendet dhe sa e pashpresë është e ardhmja . Personat qe vuajnë nga depresioni mund të kenë ose kryejnë akte të vetëlëndimit apo vetëvrasje.

Pra,nëse i hedhim një sy shkaqeve dhe pasojave të kësaj sëmundjeje mund të konkludojmë që është një çrregullim që rrjedhë nga mosmenagjimi emocional që shkaktohet nga periudha tranzicioni të jetës së njeriut.

Ky tranzicion në kuptimin e gjerë të fjalës përfshin edhe tranzicionin shoqëror nga keqmenagjimi i së cilit vjen deri te pamundësia e integrimit në shoqëri dhe në tregun e punës. Ky fakt shkakton mungesën e shpresës për të ardhmen por edhe mungesën e motivit për të punuar dhe studiuar sot. Mirëpo siç e cekëm edhe më lart personat e prekur nga kjo sëmundje mund të kenë ose kryejnë akte të vetëlëndimit apo vetëvrasje.

Të dhënat e fundit tregojnë që vetëvrasjet janë bërë një dukuri shqetësuese në Kosovë ,vazhdimisht raportohet për raste të tilla. Për pesë vite në Kosovë kanë ndodhur gjithsej 228 raste të vetëvrasjeve, raste këto të cilat policia i ka raportuar.

Ndërsa, janë gjithsej 880 raste kur personat kanë tentuar t’i japin fund jetës së tyre e të cilët janë parandaluar.

Meqenëse të gjitha proceset e mbarëvajtjes së një shoqërie janë ngushtë të lidhura me gjendjen ekomomike e cila varet direkt ose inderekt nga proceset vendimmarrëse politike dhe qeverisëse ,kjo sinjalizon një gjendje dramatike në ngecjen e optimizimit të njerëzve për punë dhe për ta ndërtuar të ardhmen. Pra, menaxhimi dhe politikat vendimmarrëse të qeverisë tërthorazi ndikojnë në gjendjen emocionale të masës.

Siç e dimë në retrospektive, Depresioni u shfaq edhe në Amerikë dhe u quajt Depresioni i Madh. Zanafilla e Depresionit të Madh në SHBA filloi në një të martë të zezë me kolapsin e Wall Street në tetor 1929 dhe shumë shpejt u përhap në të gjithë botën. Ndryshimet në treg shënuan fillimet e një papunësie të lartë, përfitime të ulëta, varfëri, deflacion, uljen e të ardhurave në bujqësi si dhe humbjen e mundësisë për rritje ekonomike dhe avancime personale.

Pothuajse edhe ne jemi po tek këto përmasa alarmante në vendin tonë sa i përket kushteve Ekonomiko-Jetësore, ku dita e ditës jemi më keq se dje dhe e nesërmja na pret më keq se sot. Qeveritë e mbas luftës janë fajtorët kryesorë sa i përket këtij” Depresioni “pra, po këto qeveri me anë të “Privatizimit” kanë lënë pa punë mbi 76 mijë punëtorë dhe ka rrezikuar mbi 12.667 familje, si pasojë e humbjes së vendit të punës të anëtarit të familjes.

Si pasojë e gjendjes së krijuar në vend emigrimi nuk u ndalë asnjëherë, por viteve të fundit mori përmasat alarmante. Në statistikat e publikuara nga organizata për statistikat e Komisionit Evropian, EUROSTAT në qershor të vitit 2015, rezulton se 185 mijë persona kanë kërkuar azil për herë të parë në Bashkimin Evropian gjatë tremujorit të parë të vitit 2015-të.

Kurse rreth 100 mijë kosovarë në vit kërkojnë viza nga Ambasadat Gjermane dhe Zvicerane. Siç duket vendi ynë po zmbrapset ngadalë ,fatkeqësisht numri më i madh i emigrantëve janë të rinjtë. Sipas MPB-së tregojnë se moshat që kërkuan azil janë: 18 deri në 34 vjeç .Me përjashtim të një numri të vogël të gjithë emigrojnë për një arsye të njëjtë ,jo stabiliteti socio-ekonomik.

Mosperspektiva, humbja e shpresës dhe moszhvillimi ekonomik, shëndetësia në gjendje alarmante si dhe arsimimi , kanë bërë që shumica e kosovarëve të cilët emigruan, të shesin pronat e tyre, vetëm për të ikur nga Kosova.

Por viteve të fundit përveç vetëvrasjeve janë shfaqur edhe grabitjet e armatosura, të cilat po ashtu paraqesin një gjendje ankthi dhe pasigurie për popullin.

Fatkeqësisht, grabitje në gjithë territorin e Kosovës, në periudhën prej dhjetë muaj në polici janë evidentuar 4 mijë e 92 raste të vjedhjeve. Pra, përafërsisht në ditë të kryhen 16 vjedhje. Si pasojë e këtyre grabitjeve pati edhe të vrarë.

Pra nga statistikat e lartpërmendura mund të konkludojmë që një mase e madhe në një mënyrë ose tjetrën vuajmë nga depresioni që zgjidhjen e vetme e shohim jetën jashtë kufijve të vendit tonë. Sëmundje nga e cila nuk vuanim para luftës,nuk ishim mirë ekonomikisht por na mbante gjallë shpresa,shpresa për një Kosovë të lirë.

Ndërsa siç duket 20 vite pas luftës rrethanat ekonomiko-politike që shkaktuan grupe të ndryshme të interesit dhe rrugaçëve në qeveri nuk japin shkëndija shprese dhe optimizmi për këtë popull liridashës për të jetuar qëndresën e tij me dinjitet, por ngushëllimin për një jetë më të mire e gjejnë rrugëve të Evropës dhe të botës.

Një fjalë e urtë popullore thotë ”Kadal beg se ka hendek”! Shpresojmë të jenë afër ditët kur do t’i tregohet begve hendeku!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE