/Themel i çdo shoqërie, pa përjashtim, është edukimi i të rinjve – Pitagora/
Konstatimi se shkollat tona janë të politizuara është realitet që nuk mund të mohohet nga askush. Politizimi i shkollave përmes vendimeve-veprimeve politike dhe shfrytëzimit të objekteve shkollore pas përfundimit të orëve të mësimit për takime qoftë edhe të karakterit politik dallojnë shumë mes veti. Në mungesë të objekteve publike, sidomos në fshatra, Ministria e Arsimit përmes një udhëzimi Administrativ ka lejuar shfrytëzimin e hapësirave shkollore pas përfundimit të orëve të mësimit. Megjithatë shfrytëzimi i objekteve shkollore për aktivitete jashtë shkollore duhet të jetë zgjidhja e fundit për çdo kënd.
Me faktin se për depolitizimin e shkollave në Kosovë, është i nevojshëm angazhim serioz i institucioneve të vendit, besoj se pajtohemi të gjithë. Prandaj angazhimi i kujt do qoftë për depolitizimin e shkollave tona duhet vlerësuar, me kusht që ky angazhim të jetë parimor e jo selektive.
Institucionet e vendit jo vetëm se janë të informuara për politizimin e shkollave por fatkeqësisht ato shpesh vet kontribuojnë që të ndodh politizimi ose heshtin para një dukurie të tillë.
Forma më e vrazhdë e politizimit të një pjese të shkollave të Kosovës, është politizimi përmes programeve dhe teksteve shkollore, si që është rasti me nxënësit e komunitetit serb që përdorin tekste shkollore të Serbisë, të cilat janë të orientuara armiqësisht kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Kjo formë e politizimit po ndodh legalisht, që nga viti 1999, në institucionet shkollore që po financohen nga shteti i Kosovës. Megjithatë shteti nuk po ndërmerr asgjë për ta penguar këtë dukuri që është më shumë se politizim. Është kultivim i urrejtjes ndaj shtetit dhe pjesëtarëve të kombit numerikisht më të madh që jeton në Kosovë.
Qeveritë e pas luftës në Kosovë, si ato qendrore edhe ato komunale, kanë kontribuar shumë në politizimin e shkollave, duke i par ato si mundësi për ndikim politik dhe vende për punësimin e militantëve partiak nga të cilët nuk kanë kërkuar punë cilësore por përkrahje politike (vota). Jo vetëm drejtorët e DKA-ve që edhe ashtu janë kuadro politik por edhe drejtorët e shkollave janë kundra që vijnë nga partitë në pushtet. Në shumë raste edhe gjatë përzgjedhjes së kuadrit arsimor prioritet i jepet përkatësisë partiake para asaj profesionale.
Universitetet politike, të hapura në prag të fushatave elektorale dhe licencimi i kolegjeve të panumërta, pa asnjë kontroll dhe analizë, se si funksionojnë ato dhe cilat janë nevojat reale të vendit për profilet gjegjëse si dhe çka do të ndodh me ata të rinj pas përfundimit të studimeve. Vendosja e shkollave në shërbim të politikës e jo politikën në shërbim të arsimit, është rezultat i logjikës së mbrapsht politike që po e dëmton rënd perspektivën e rinis e cila nuk po gjen këtu perspektiv por shpëtimin po e kërkon kudo qoftë jashtë vendit, qoftë edhe në vatra krize si në Afganistan, Irak e gjetiu.
Nuk është i vogël numri i mësimdhënësve që në orë të mësimit ose brenda shkollës me nxënës bisedojnë për politikën ditore, partitë e caktuara politike ose liderët të caktuar politik.
Në tubimet elektorale të partive në pushtet shpesh mbyllen shkollat dhe në mënyrë të organizuar nxënësit dërgohen në tubime elektorale.
Në shkolla dhe fakultete organizohen ligjërata politike për politikanët me ndikim.
Orientimi i hershëm politik i të rinjve në Kosovë lejohet me ligjet në fuqi. Anëtarësimi i 16 vjeqarëve në parti politike është legal prandaj edhe debati politik me këta të ri nuk paraqet shkelje ligjore. Politizim të shkollave paraqesin ndërhyrjet e lartpërmendura të politikës në organizimin e sistemit arsimor që duhet të ndërpriten sa më parë. Mbetet detyrë e institucioneve dhe partive politike që ta evitojnë politizimin e shkollave tona dhe të ndihmojnë në ngritjen e cilësisë në arsim me organizim më të mirë, kontroll më të madh profesional dhe më shumë investime, për ndryshe vendi nuk do të ketë perspektiv, kurse numri i të rinj që do të jetojnë në Kosovë do të jetë gjithnjë e më i vogël. /2L ONLINE/