Policia zvicerane arrestoi ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Albert S., për ta ekstraduar në Serbi. Kjo u bë me kërkesë të Serbisë, shtet ky që ka bërë krime sistematike me gjithë aparatin shtetëror nëpër gjithë Ballkanin. Tendenca për ta barazuar gjenocidin serb në Kosovë me luftën tonë çlirimtare, është e padrejtë dhe e papranueshme. E për këtë, fajin më të madh e kanë qeveritë e pasluftës në Kosovë, të cilët punuan më ngulm për ta maskuar Serbinë përballë Evropës, se kinse ajo ka ndryshuar dhe me të mund të flasim për fqinjësi të mirë. Serbia ishte dhe vazhdon të mbetet armike ndaj Kosovës. Nuk ka vend për negociata pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë; pa i kthyer të pagjeturit; pa i paguar dëmet e luftës; pa i kthyer artefaktet , fondin pensional, dhe origjinalet e librave kadastral; pa i dorëzuar kriminelët e luftës; pa e njohur Republikën e Kosovës, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Populli i Kosovës përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë luftë të drejtë, të domosdoshme, çlirimtare. Kosova sot është shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Për çdo shkelje eventuale, individuale, gjykimi duhet të bëhet në Kosovë, në vendin ku janë zhvilluar luftimet.
Prandaj, ekstradimi i ushtarëve të UÇK-së në Serbi është i padrejtë e i papranueshëm. “Drejtësia” e shtetit të Serbisë, secilin nga ne e nxjerrë fajtor. Sepse luftuam për liri e bashkim e kombëtar, duke ia përmbysur kështu rendin kushtetues atij shteti fashist, dhe duke ia pamundësuar planet për shfarosjen e popullit shqiptar, thuhet në fund të ragimit të Vetëvendosjes.