Dënohet me gjobë prej 4 mijë e 500 € personi që sulmoi gazetarin Valon Syla

Dënohet me gjobë prej 4 mijë e 500 € personi që sulmoi gazetarin Valon Syla

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.J për sulm ndaj  gazetarit Valon Syla.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.J për veprën penale Lëndim i lehtë trupor, nga neni 185 par.1, nënpar.1.4 të Kodit nr.06/L-074 të KPRK-së.

I akuzuari B.J është shpallur fajtor për këtë vepër penale dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 4,500 (katër mijë e pesëqind) euro, të cilin dënim është i obliguar që ta paguajë në afatin prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa koha e kaluar në paraburgim, nga data 22.12.2020 deri me datë 06.01.2021, të akuzuarit B.J. do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit mori parasysh rrethanat lehtësuese, si pranimin e fajësisë nga i akuzuari B.J., kërkim faljen dhe pendimin për kryerjen e veprës penale, ndërsa rrethanë rënduese mori rrethanat në të cilat është kryer vepra penale në vend publik dhe në prezencë të kalimtarëve të rastit, duke shkaktuar shqetësim në popullatë për veprimin e kryer ndaj dëmtuarit-gazetarit V.S. për shkak të shprehjes së mendimit të lirë përmes rrjeteve sociale.

Me datë 22.12.2020, rreth orës 12:00, në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë, i akuzuari B.J, i pa kënaqur me shkrimet që i dëmtuari-gazetari V.S i kishte bërë në rrjetin social Facebook, rreth diasporës dhe të cilat shkrime ishin shpërndarë në portale të ndryshme, me dashje e kishte goditur me duar në kokë dhe qafë të dëmtuarin-gazetarin V.S., të cilit i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore sipas ekspertizës mjeko-ligjore.

I dëmtuari V.S. për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest civilo-juridik.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

KOMENTE