Policia reagoi ndaj rasteve të kohëve të fundit edhe në Kosovë, në Aeroportin e Prishtinës, ku persona të pandërgjegjshëm kanë drejtuar laserët ndriçues tek aeroplanët civilë.
Veprime të tilla janë të kundërligjshme dhe njëherit paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë në sigurinë e fluturimit.
“Drejtimi i dritës laserike në drejtim të një aeroplani civil, gjegjësisht në kabinën e pilotëve, në fazën e përgatitjes për aterrim, gjatë aterrimit, apo gjatë fazës së ngjitjes, kur aeroplani ndodhet në lartësi të ulët, ndër të tjera mund të shkaktojë një verbim momental të pilotëve dhe potencialisht mund ta rrezikojë sigurinë e fluturimit. Veprimet e tilla, nga kushdo qofshin ato, konsiderohen si rrezikim i operimeve të aviacionit civil dhe janë të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në një reagim të Policisë së Kosovës.
Bazuar në këtë, Policia e Kosovës, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe ANP “Adem Jashari”-Kontrolli Ajror kanë zhvilluar një procedurë reagimi në rastet e tilla, e cila mundëson dhe njëherit lehtëson reagimet e policisë brenda pak minutash në vendin e identifikuar të burimit të rrezes laser që i është drejtuar një aeroplani.
Të gjithë personat e identifikuar si përdorues dhe drejtues të laserëve ndriçues drejt aeroplanëve në fluturim, Policia njofton se do të përballen me procedurat ligjore të sanksionuara në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Apelohet te të gjithë qytetarët dhe personat që e kanë bërë këtë veprim të mos ndriçojnë asnjëherë aeroplanët me dritë laseri.