Demonstrata e nëntorit të vitit 1968 në Kosovë

Demonstrata e nëntorit të vitit 1968 në Kosovë

Aneksimi i dhunshëm i Kosovës më 1945 nga Jugosllavia respektivisht Serbia, vrasjet, burgosjet, dhuna e vazhdueshme e pushtetit serb, ekzekutimet me gjyq e pa gjyq i shqiptarëve, Aksioni i mbledhjes së Armëve, shpërnguljet e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe në përgjithësi gjendja e rëndë politike e ekonomike ndikuan në shpërthimin e revoltës.

Shkruan: Naim Musliu

Diskutimet për ndryshimet kushtetuese, Konsulta Gjuhësore (1967), Manifestimet me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (1968), Lëvizjet studentore në Evropë (1968) etj., qenë faktorë shtytës në luftën për të drejta nacionale dhe për çlirim e bashkim kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Një nga format e kësaj rezistence padyshim ishte edhe organizimi i demonstratave dhe protestave gjithëpërfshirëse.

Kështu, gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 1968, në shumë qytete të Kosovës shpërthyen demonstratat masive të rinisë dhe të popullit shqiptar, të cilat patën si kërkesë kryesore njohjen e statusit të Republikës për Kosovën dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje.

Demonstrata e parë masive në Kosovë u organizuan në Prizren, më 6 tetor 1968. Në mënyrë simbolike, kjo demonstratë filloi dhe përfundoi para ndërtesës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku për herë të parë në mënyrë publike u kërkua Kosova – Republikë. Demonstratë e ngjashme u organizua edhe në Suharekë, më 8 tetor dhe në Pejë, më 19 tetor 1968.

Më 27 nëntor 1968 u organizuan demonstrata masive në Prishtinë, në Podujeve, në Gjilan dhe në Ferizaj. Në Gjilan demonstratat filluan në ora 12 e 5 minuta, duke u nisur nga shkolla e Mesme ekonomike për të vazhduar në drejtimin e stacionit të autobusëve. Në demonstratat e Gjilanit morën pjesë mbi 2000 veta, ku demonstruesit përveç Gjilanit vinin edhe nga Vitia, Kamenica, Kaçaniku, Presheva, Bujanoci e qytete tjera shqiptare. Në krye të demonstratave ndodheshin organizatorët. Në demonstratë valëvitej edhe flamuri kombëtar shqiptar. Demonstrata në Gjilan zgjati katër orë dhe pasi përfundoi pjesa dërmuese e organizatorëve vazhduan rrugën për Prishtinë, për tu bashkuar me demonstruesit. Në gjitha qytetet demonstruesit u ndeshën dhe u përleshën me forcat policore dhe me ato të sigurimit të shtetit.

Demonstrata më e madhe dhe më masive ishte ajo e Prishtinës ku demonstruesit me parulla u nisën nga Fakulteti Filologjik, duke marshuar në drejtim të qendrës së qytetit deri tek Kuvendi i Kosovës, duke u ndalur kështu tek sheshi para Teatrit. Demonstruesit gjatë marshimit nëpër qytet u ndeshën në qëndrimin e ashpër të organeve policore serbe. Në përleshjet ndërmjet policisë dhe demonstruesve, në Prishtinë u vra një demonstrues. Demonstrata e Prishtinës zgjati prej orës 15.40 e deri në orët e vona të mbrëmjes së 27 nëntorit 1968.

Kërkesat dhe parullat kryesore të demonstruesve ishin: “Duam Republikë”, “Duam vetëvendosje gjer në shkëputje”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Universitet”, “Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, “Për të drejtat tona edhe gjak do të derdhim” etj.

Një muaj më vonë më (23 dhjetor 1968) një demonstratë u organizua në Tetovë. Organizatorë të kësaj demonstrate ishin studentët shqiptarë nga Tetova, që studionin bashkë me studentët kosovarë në Universitetin e Beogradit dhe në fakultetet e Prishtinës. Organizatorë dhe përkrahës të këtyre demonstratave ishin edhe shumë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare të cilët nuk pajtoheshin me shtypjen e vazhdueshme të shqiptarëve në Tetovë, në Gostivar, në Shkup, në Strugë, në Kumanovë dhe vendbanime të tjera të banuara me shqiptarë në Maqedoni. Demonstruesit rreth orës 11 të 23 dhjetorit u nisën nga qendra e qytetit dhe u futën në ndërtesën e Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve. Ata marshuan me flamur kombëtar dhe e ngritën atë në një shtyllë 6 metërshe të lartë në qendër të Tetovës. Pas kërcënimeve me orë policore, demonstruesit u shpërndanë.

Demonstrata pati edhe në Ulqin, kështu në fund të vitit shkollor 1968-1969 nxënësit edhe arsimtarët e shkollës fillore të Terstenikut organizuan ekskursion në Ulqin. Gjatë qëndrimit në Ulqin ata u shoqëruan me nxënësit dhe rininë e Ulqinit dhe në ditën që po ktheheshin në Tërstenik më 3 qershor 1969 ata defiluan nëpër qytetin e Ulqinit, mirëpo pushteti malazias intervenoi brutalisht duke e shpërndarë popullin e tubuar në një demonstratë të qetë e paqësore, ku ishin dëgjuar kërkesa për të drejta sociale dhe të drejta kombëtare të shqiptarëve.

Pas demonstratave në shumë qytete të Kosovës dhe në Tetovë e Ulqin i japin kuptimin dhe karakterin gjithëkombëtar demonstratave të vitit 1968, si përpjekje e shqiptarëve për tu çliruar nga pushteti jugosllav.

Demonstratat e vitit 1968 nxorën në pah problemin e madh shqiptar në Jugosllavi, të cilin deri atëherë pushteti jugosllav ishte përpjekur ta mbante të mbyllur në mënyra të ndryshme. Në demonstrata përveç të që pati shumë të burgosur e të dënuar me shumë vite burg, të ndjekur nga policia, të diferencuar ideo politikisht, të degraduar e të përjashtuar nga puna etj., pati edhe të vrarë. Megjithatë pati zhvillime të rëndësishme si: u shpejtua themelimi i Universitetit të Kosovës në Prishtinë, u hapën Institutet shkencore, u hap Akademia, po u miratuan amendamentet kushtetuese me të cilat u krijua një hapësirë më e gjerë politike dhe një mundësi institucionale për veprim, u rrit veprimtaria botuese, kulturore, arsimore, shkencore etj., gjithashtu u krijuan parakushte për një zhvillim më të shpejtë ekonomik.

Në demonstratat e shqiptarëve në vitit 1968 në Kosovë e Maqedoni dhe në vitin 1969 në Mal të Zi, bënin me dije se nuk pajtohen me statusin e imponuar politik të vendosur pas vitit 1945 nga Jugosllavia të udhëhequr nga Tito. Në këto demonstrata gjithë popullore, morën pjesë të gjitha shtresat shoqërore, të gjitha moshat e popullsisë dhe banorët e të gjitha trojeve shqiptare, ku u shprehën unanimisht se shqiptarët në Jugosllavi duan t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzonin popujt tjerë. Shqiptarët kërkonin ta gëzonin të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare, të drejtën e kombit e jo të kombësisë, të drejtën e vetëvendosjes dhe të drejtën e shtetit të tyre – Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës së Jugosllavisë.

Demonstratat e vitit 1968, ishin frymëzim për vazhdimin e përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si në vitet e ’80 – a, dhe ’90 – a si dhe përfundimisht në organizimin e luftës së armatosur për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Autori është Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Gjilan

KOMENTE