DYLON

Demolli priti ambasadorin O’Connell

Avatar photo Redaksia

Ministri i FSK-së Haki Demolli i shoqëruar edhe nga zëvendësministri Fadil Gashi, priti sot në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell i cili shoqërohej edhe nga atasheu ushtarak i Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë nënkolonel Richard Parry, dhe drejtori i Ekipit Këshillues të NATO-s (EKN) në MFSK, Dominic Braitwait.

“Ministri Demolli pas urimit për emërimin në detyrën e ambasadorit në Kosovë, Ruairi O’Connell i shprehi falënderimet për bashkëpunimin e thellë dhe dinamik që ka ekzistuar në mes MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, duke vlerësuar lartë ndihmën e madhe që është dhënë në trajnimin dhe shkollimin e oficerëve të lartë të FSK-së në akademitë ushtarake elitare të Mbretërisë së Bashkuar si dhe me dërgimin e grupeve të instruktorëve ushtarak në Kosovë për të bashkëpunuar me FSK-në.

EkoHigjiena

Gëzon fakti se i gjithë ky bashkëpunim zhvillohet mbi Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar të nënshkruar që në vitin 2009, e që ishte nënshkrimi i parë i një Memorandumi Bashkëpunimi i MFSK-së me një ministri të mbrojtjes. Po ashtu ministri Demolli e njoftoi zotin ambasador edhe me zhvillimin e procesit për transformim e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), si dhe veprimet e kryera nga MFSK deri me sot që janë të nevojshme për këtë transformim, me objektiv të përhershëm për anëtarësim në NATO.

Nga ana e tij ambasadori Ruairi O’Connell, shprehi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin.

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama në takimin që pati me ambasadorin Ruairi O’Connell, fillimisht e uroi për emërimin në detyrën e re të ambasadorit të Mbretërisë së bashkuar në Kosovë. Komandant Rama e njoftoi ambasadorin nga Mbretëria e Bashkuar për fazën e aktiviteteve të FSK-së, bashkëpunimin me NATO-n dhe bashkëpunimin e mirë me ushtritë e shteteve të rajonit. Ai falënderoi kontributin e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar në trajnimin e oficerëve dhe ushtarëve të FSK-së, qoftë përmes trajnimeve në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë përmes instruktorëve që vijnë në FSK, dhe sidomos ai çmoi lartë pjesëmarrjen në ushtrime fushore të përbashkëta. Komandant Rama po ashtu foli edhe për përgatitjet dhe planifikimet e kryera për nevojat e transformimit të FSK-së në FAK, duke u angazhuar çdo herë se FAK do të jenë forcë për të mirë dhe në shërbim të sigurisë së rajonit dhe me gjerë.

Nga ana e ti ambasadori Ruairi O’Connell përgëzoi komandant Ramën për arritjet e deri tashme në ngritjen e strukturës së FSK-së. Ai e vlerësoi si një e arritur e përbashkët, që Kosova nga konsumues i sigurisë po transformohet në eksportues të sigurisë përmes bashkëpunimit me ushtritë e rajonit dhe me NATO-n”, njofton Ministria e FSK-së.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.