Demokratë apo majtistë populist?
Zejnullah Jakupi
/2L ONLINE/ – Kohët e fundit, po shtohen zërat nga shtypi ndërkombëtar(austriak dhe gjerman), shih për këtë gazetën “Standard” të autorit Adelheid Wölfl, të datës 13.1.2016 i cili shkruan se për dallim nga LDK dhe PDK, VV është një parti e pa korruptuar me të cilën partitë evropiane dhe BE do të duhej të iniciojnë komunikimin dhe të ndalet bojkoti parlamentar i opozitës. Si shembull i mirëqeverisjes me kryeqytetin përmendet aty edhe Shpend Ahmeti, por nuk kursen kritikat duke e quajtur Vetëvendosjen (VV) si lëvizje “majtiste” e “radikale” ose si majtisto-populiste, edhe pse Lëvizjet në përgjithësi cilësohen si grupime nga “sfera periferike e sistemit politik”, siç i cilëson grupet periferike shoqërore(kryesisht nga shoqëria civile) sociologu gjerman Jürgen Habermas?
Këto ditë gazeta gjermane “Die Zeit”(Koha) më 19 janar 2016 shkruan se si SHBA po lëviz drejt të majtës, pas një varg projektesh të realizuara nga presidenti Obama dhe demokratët. Një socialist, kandidati i demokratëve amerikanë, Bernie Sanders po kandidon për president të SHBA-ve. Bill Clinton kishte një qëndrim më liberal ndaj bankave dhe ekonomisë tani përkrah bashkëshorten Hillary me projekte për klasën e mesme, shkollimin universitar pa borxhe, çerdhe për fëmijë, duke krijuar nga një SHBA kapitaliste në një SHBA kapitaliste sociale. Nga ky neoliberalizëm, deri tani kishte fituar vetëm një shtresë e vogël të pasurish, ndërsa ishin lënë pas dore shtresa të mesme dhe të varfrit.
Çfarë perkusionesh do të kenë këto zhvillime për Kosovën? Kundërshtimi ndaj VV-së, vijnë nga brenda dhe jashtë, pra edhe nga përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare. Degradimi i të majtës( strukturalistëve) nga neoliberalët, në këtë formë, duken shumë qartë. Po cilat janë ndikimet e strukturalizmit politik në Kosovë? Roland Barthes, (ish-mësuesi i presidentit historik Ibrahim Rugova) ka qenë pjesë e kësaj ideologjie. Nuk ka studime se sa u ndikua Ibrahim Rugova nga strukturalizmi (politik) francez? Në një mënyrë apo tjetër Ibrahim Rugova ishte idealist, padyshim, si gjithë plejada e përfaqësuesve strukturalistë(përfshi edhe ata shqiptarë) kanë qenë kundër dhunës dhe aparatit represiv që ushtrohej nga ana e ish-regjimit serb mbi kosovarët e pambrojtur. Për strukturalistët, kriticizmi mbetet arma e fortë e kundërshtimit dominues kundër represionit nga “aparatet shtetërore”.
Koncepti ideologjik i aparateve shtetërore, sipas L. Althusser janë a.) represive(Ushtria, Policia, dhe b.) ato ideologjike(si familja, media, universiteti,religjioni et). Këto dy pushtetet duhet të jenë të ndara. Ideologjia me këtë rast krijohet jo vetëm në mënyrë represive, por edhe përmes subjekteve në fjalë dhe u jep mundësi atyre të konstruktohen pa qenë të manipuluar, ndonëse supozohet se ideologjia posedon një ekzistencë materiale. Ideologjia si e tillë u imponon në mënyrë represive një rol subjekteve (institucioneve, partive, kombeve, religjioneve etj).
Ndoshta, më pak në SHBA se sa në Francë e Gjermani, por edhe në shtete tjera, orientimi i të majtës drejtë qendrës nuk e ka dobësuar primatin e shtetit kapitalist. Ky orientim ka qenë konstruktuese e një shteti gjysmë kapitalist ose një shoqërie kapitaliste me një treg të lirë social. E spikatur me një frymë strukturaliste, VV- apostrofohet si një subjekt i “rrezikshëm” për sistemin kapitalist dhe shoqëritë Pro-perëndimore!!! Megjithatë Qeverisja e Shpend Ahmetit me kryeqytetin ka dhënë sinjale se edhe shoqëritë tradicionale mund të qeverisin mirë, model ky i cili mëton të shërbej si shembull për kontekstin shoqëror kosovar. Prijësit e VV-së kanë një të kaluar liberale, janë shkolluar në SHBA dhe në Evropë dhe angazhohen për një shtet demokratik dhe për një shoqëri të barabartë. Veprimi i tyre politik shoqërohet gjithherë me kritika dhe protesta paqësore si dhe me mosbindje ndaj sistemit korruptues dhe marrëveshjeve politike me Serbinë. Ndërkohë, nuk dihet se a do ta mund ta nxjerrin nga kriza shoqërinë kosovare, të zhytur në korrupsion dhe papunësi, edhe nëse i fiton zgjedhjet.
Më shumë se për çështjet ideologjike VV ka bërë bujë në opinion kundër korrupsionit, strukturave të brishta të shtetit me tradicionalizmin e saj nacional, siç u dëshmua gjatë gjithë këtyre viteve. Nga viti 2011 ajo ishte e vetme kundër projektit të “Zajednicës”, marrëveshje kjo e cila u “miratua” më 19 prill 2013. Ajo përpos që kërkon forcimin e shtet të Kosovës, synon edhe bashkimin me shtetin amë, në një fazë të më vonshme, duke ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të ZI dhe në Kosovën Lindore, ku me këtë rast ka kërkuar për këtë të fundit, të ketë një marrëveshje me Serbinë, për pozitën e shqiptarëve andej kufirit. Akuzohet, gjithashtu, se po rrezikon fqinjësinë me Serbinë, por asaj nuk i pengon një Serbi e integruar në BE, ashtu siç nuk i pengon etniteti serb dhe bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe etniteteve tjera në Republikën e Kosovës, por dëshiron një Republikë me sovranitet, ku të gjithë qytetarët e saj janë të barabartë dhe nuk lejon ndarje përgjatë vijave kufitare etnike.
Në protestat e 9 janarit shteti me aparatin e tij represiv, “triumfoi” kundër protestave të partive opozitare përmes arrestimit të prijësve të saj ku u demonstrua forca e tij, një instrumentalizim ky mediatiko-politik me qëllim të “edukimit” të opozitës “revolucionare” e cila, megjithatë, ka arritur ta zëvendësojë dhunën klasike (vrasjet politike të pasluftës, -metoda këto tipike të dhunshme dhe revolucionare) me kundërshtim paqësor, gjuajtje me vezë dhe fishkëllima (shpesh edhe me gurë dhe koktej mollotovi nga struktura të infiltruara) në tubime masive dhe protesta.
Me frymën e këtij strukturalizmi ideologjik shoqëria kosovare dalëngadalë vetvetiu po reflekton dhe po çlirohet nga dhuna dhe nga strukturat e saja para-politike, mbase e kaluara historike ka lënë gjurmë të theksuara. Ky ambient mbetet tutje i pa sigurt, jo vetëm për shkak se Kosova është vendi ku dominon natyra kulturore “surrealizmi real”, por edhe për shkak të bashkëjetesës së problemeve të përhershme, konflikteve etnike, kulturore, fetare, ideologjike dhe gjeostrategjike, duke patur një konfiguracion të komplikuar shtetëror, republikë e pavarur, e deklaruar, me fusnotë dhe Rezolutën 1244. Kosova vazhdon akoma të vuaj nga kriza e përgjithshme, të ketë numrin më të madh të papunëve, me ekonominë më të pazhvilluar, me sistemin më të dobët të edukimit dhe shkollimit dhe me shumë kuadro që nuk ka kushte t´i integroj në tregun e punës. Në këtë konfiguracion politiko-strategjik, do të ketë tutje sfida. Nëse nuk ka një ndarje nga e keqja, Kosova ka mundësi të rrëshqet tutje drejt izolimit, drejt ndarjes, edhe pas fitores së pavarësisë, pa siguruar një të ardhme të ndritur, krahas shteteve dhe kombeve tjera Evropiane. /2L ONLINE/
