Demokracia shqiptare në peshojë..!? Demokracia i përngjan një oqeani të cilin, herë e përfshijnë valë të mëdha që shpeshherë shndërrohen në Cunam, e herë e përfshijnë valë të qeta të cilat i përngjajnë qiellit të blu, ku asgjë nuk lëvizë përveç disa reve të bardha. Por, nëse një kapiten anijeje nuk iu përmbahet rregullave të lundrimit detar kur futet në valët e trazuara, patjetër se pason mbytja dhe fundosja e saj.
Edhe në demokraci është gati e njëjta gjë, prandaj sikur e kam përshtypjen se demokracia shqiptare aktualisht është në peshojën e valëve të saj shumë të trazuara, sepse aktualisht ajo është gjetur në një udhëkryq mjaft të rrezikshëm midis zhvillimit të natyrshëm dhe kthimit në arealin e komunizmit totalitar, i cili duket në mendësinë politike shqiptare ende po rigjeneron një mentalitet monist të tipit pervers dhe makiavelist.
Ambiciet politike janë një cilësi e natyrshme e njeriut, por kur ato shndërrohen në kompleks të brendshëm nga egoizmi i infektuar me virusin e megalomanisë, është e vërtetë se shoqërisë dhe rrethit ku ai shfaqet iu sjellë dëme të mëdha. Kjo për faktin, sepse në raste të këtilla bëhet shkelje drastike e normave dhe principeve mbi të cilat është ndërtuar vetë demokracia, dhe cila në një rreth të tillë të helmuar nuk ka shans të mbijetoi.
Një ndër shenjat më të qarta të shkeljes së këtyre normave, por edhe të akteve ligjore, është padyshim, dekoncentrimi dhe improvizimi politik që disa, kinse lider, vetën e konsiderojnë “super kategori” shoqërore, që në fakt nuk janë as të vetëdijshëm se i ka kapluar multiskleroza dhe fobia e vdekje. Prandaj, edhe bëjnë veprime të tilla marroçe si dhe marrin vendime të nxitura dhe krejtësisht jashtë kontekstit të ngjarjeve dhe kohës në të cilën jetojnë!?
Lufta e rrejshme për ta larguar gjoja një kastë politike nga e cila varesh “kokë e këmbë”, duke përdorur të njëjtat metoda të tij për të ardhur në pushtet, ose edhe më keq, duke ushqyer iluzione brenda shoqërisë se shpëtimi i saj nga të ligat si dhe nga keqqeverisja, duke e venë në lajthitje anëtarësinë dhe elektoratin që i takon, se shpëtimi i vetëm jam unë, kjo jo vetëm që është hipokrizi e llojit të vetë, por mbase është një çmenduri totale nga e cila vijnë vetëm të liga tjera për sanimin e të cilave kërkohet kohë dhe mjete tepër të mëdha.
Ndaj, nisur nga këto premisa të pashkruara në politikë, sjelljet dhe veprimet e natyrës dhe karakterit të egocentrik dhe plotë me hile, tregon qartë për ç’rregullimet shoqërore dhe politike që ky soj i politikanëve i kanë bërë shoqërisë kosovare, dhe vërtetë pas këtyre dëmeve do të na del shumë punë për t’u kyçur si shtet dhe shoqëri në proceset e mirëfillta demokratike.
Dhe, jo rastësisht shqiptarët akoma gjenden larg vijave të demarkacionit që si pika orientuese mund të na shpijnë në rrugën e integrimeve evropiane. Jam shumë i bindur se pa largimin e këtyre hileqarëve dhe mashtruesve nga skena politike e Kosovës, vështirë se do mundemi ta shkurtojmë rrugën e nisur më 23 dhjetor 1989 drejt kalasë e cila quhet Evropë e Bashkuar!
/Hafiz Gagica/