DYLON

Demokracia kërkon mendim, jo përsëritje!

Demokracia kërkon mendim, jo përsëritje!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ardian Azemi

Asnjë vend në botë nuk është ndërtuar e zhvilluar duke folur një hajn për zhvillimin ekonomik, një prostitutë për moralin në shoqëri, një ekonomist për drejtësinë, një jurist për shëndetësinë, një politikan për filmin, një bujk për integrimet, apo një qytetar i thjeshtë për çdo temë. Vendet janë ndërtuar dhe janë zhvilluar kur secili është marrë me punën që e njeh dhe për të cilën ka përgjegjësi e kompetencë.

EkoHigjiena

Ajo që më irriton më së shumti dhe që shpesh po më bën me dalë prej vetes e me sha, është mungesa e mendimit personal te shumë njerëz që flasin çdo ditë, por në vend të bindjeve të tyre, bëhen vetëm altoparlantë të liderit të partisë. Pikërisht kjo më bën ta humbas durimin, sepse nuk mund të pajtohem me një shoqëri ku mendimi kritik zëvendësohet me përsëritjen mekanike të fjalëve të dikujt tjetër.

Jam krejt në rregull me këdo që ka mendimin e vet, që flet me edukatë, me argumente e me fakte, pa fyerje, pa linçime dhe pa shpifje. Jetojmë në demokraci dhe duhet të jemi mirënjohës për këtë. Demokracia nuk ka kuptim nëse njerëzit nuk guxojnë të mendojnë me kokën e tyre. Secili duhet ta ketë bindjen e vet politike dhe ta mbrojë atë me argumente, jo me sharje, etiketime, linçime apo sulme personale.

Një shoqëri nuk ecën përpara kur secili përzihet në fushën e tjetrit, ndërsa e lë pas dore profesionin dhe përgjegjësinë e vet. Kur mungon përkushtimi ndaj punës që di ta bësh më mirë, rezultatet mungojnë pikërisht në atë fushë ku je profesionist. Këtë, fatkeqësisht, po e shohim çdo ditë edhe në Kosovë.

Ka ardhur koha për reflektim. Të respektojmë dijen, profesionin dhe kompetencën. Të mësojmë të dëgjojmë ata që dinë, e jo ata që bërtasin më shumë. Mbi të gjitha, ta rikthejmë kulturën e komunikimit njerëzor.

Mund të kemi bindje të ndryshme politike, por nuk kemi asnjë arsye të humbasim njerëzinë. Respekti, mirësjellja dhe dinjiteti janë themeli i çdo shoqërie që synon të ecë përpara.  /2LONLINE/