(2LONLINE) – Komisioni i Drejtorisë së Bujqësisë në Gjilan për vlerësimin e dëmeve pas vërshimeve të fundit, i fomuar më 22 prill 2014, ka dalë sot me vlerësimet për dëmet në kulturat bujqësore.
Drejtori i drejtorisë për Bujqësi Ramiz Ramadani, është shprehur se vlera e këtyre dëmeve nga vërshimet e fundit është 75.446 euro, përderisa tha se janë vërshuar 131 hektarë tokë.
Ramadani tha se dëmet më të mëdha kanë qenë përgjatë lumit “Morava”, duke filluar nga fshati Nasalë, Velekincë, Uglarë, Pogragjë e deri në dalje të fshatit Dobërçan.
Gjithashtu, vërshimet të mëdha pati në Grykën e Karadakut përmes lumit “Zhegra”, në fshatrat Shurdhan, Haxhaj, Demiraj, Zhegër, Lladovë, Haxhaj e Pidiq.
“Te kulturat vjeshtore (gruri) është vlerësuar dëmi në rendiment, te kulturat pranverore që përfshinë, misrin, pataten, fasulen etj., është vlerësuar dëmi në rimbjellje që përfshinë: farën, përgatitjen e tokës dhe plehërimin, ndërsa te livadhet dhe junxha është vlerësuar dëmi në kositjen e parë”, ka thënë Ramadani.
Drejtori i Bujqësisë tha se menjëherë do t’i drejtohen qeverisë, konkretisht Ministrisë së Bujqësisë, duke ia adresuar këtë raport për kompensimin e këtyre dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit, marrë parasyshë buxhetin e limituar të Komunës së Gjilanit.
Ai tha se kemi konsideruar që duhet të bëhet ndërhyrja në të gjithë lumenjtë për të evituar vërshimet e mundshme. /2lonline/