Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë ranë dakord të dielën që takimi i planifikuar midis tyre, i paraparë të mbahet më 22 tetor në Beograd, të shtyhet për 10 nëntor.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i ka kundërshtuar zërat të cilët i bëjnë thirrje kryeministrit Rama mos të shkojë në vizitë zyrtare në Beograd. “Rama duhet të shkojë në Beograd, por nëse Serbia frikësohet për t’u takuar me Edi Ramën, sepse ai ka për t’ia thënë krejt politikën e gabuar që është duke e bërë shteti serb, atëherë është muhabet tjetër.
Kështu që, nëse serbët frikësohen, atëherë është punë e tyre, mirëpo Edi Rama është i detyruar të raportojë te fuqitë e mëdha të Evropës, Gjermanisë në këtë rast, se si shkoi vizita në Beograd”, ka deklaruar Demaçi për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se nuk është aspak në rregull kur i kërkohet kryeministrit Rama mos të shkojë për vizitë në Serbi. “Nuk është kurrfarë politike t’i thuash Edi Ramës mos shko në Serbi. Për çka? Për inati. A duhet të bëhemi si do katundarë që janë te lëçitur mëhallë me mëhallë? Kjo punë nuk shkon me inati. Politika është një mjeshtëri për ta arritur qëllimin me diplomaci, butësi dhe fjalë të mira. Sot edhe shtetet e mëdha nuk janë duke arritur që vetëm të bëjnë politikë, por po detyrohen të bashkohen dhe të bashkëpunojnë ndërmjet vete”, është shprehur Demaçi.
Ai ka vlerësuar se Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur miq më shumë dhe nuk ka qenë më shumë e vlerësuar prej shteteve më të rëndësishme të botës. “Shqipëria është duke e ndjekur dhe po vazhdon ta ndjekë një politikë serioze. Sot Shqipëria nuk është vegël e askujt. Ajo e ndjek interesin e vet politik. Interesi i Shqipërisë është me qenë mirë me të gjithë. Interesi i Shqipërisë është t’i dëgjojë edhe miqtë tanë që i kemi. Politika e Evropës, në radhë të parë e Gjermanisë, është për ta qetësuar dhe urtuar Ballkanin. Kjo politikë nuk është më për të shtirë xixa në mes të shteteve ballkanike. Ka ardhur koha për ta qitur Serbinë në binarë ngadalë-ngadalë. Pra, nuk bën për t’i qëndruar larg, por duhet për t’iu ofruar”, ka thënë Demaçi, duke ua rikujtuar Samitin e Berlinit të gjithë atyre që janë duke kërkuar nga Rama mos të shkojë në vizitë në shtetin fqinj.
“Juve ju kujtohet kur u takuan liderët e Ballkanit te Merkeli. Ajo e kishte vënë Edi Ramën në krye të vendit. Merkeli e ofroi Ramën afër vetes. Do të thotë, ia dha një pozicion që t’i si Shqipëri, me politikën që je duke e përçuar brenda dhe jashtë, meriton respekt. Kështu që, tani le të thotë Serbia se nuk e duam të vijë Edi Rama. Kjo është punë tjetër. Ndërkaq, Shqipëria, në këtë rast Rama, nuk mund të thotë s’dua të shkojë për vizitë në Serbi për shkak të një incidenti në futboll. Politika nuk ka lidhje me këto gjëra. Këto janë projekte të mëdha. Edhe në suazën e këtyre projekteve botërore ka hyrë edhe Shqipëria me rolin e vet, sepse në Ballkan gjithnjë e më shumë roli i Shqipërisë dhe rëndësia e saj po shihet si duhet. Dhe, si e tillë, edhe Shqipëria duhet ta luajë rolin e saj”, ka theksuar Demaçi.
Ai ka deklaruar se të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë, duhet ta ndjekin politikën e bashkëpunimit dhe të gatishmërisë për respekt ndaj shteteve fqinje. “Shqipëria nuk mund të luajë rol kundër Evropës dhe Amerikës”, është shprehur Demaçi
Për më tepër:
http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=52333&Ctype=1