Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, meritor për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë, e ka bërë kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Demaçi këtë mbledhje ndërqeveritare e ka vlerësuar hap të forcimit të dy shteteve dhe shqiptarëve në përgjithësi.
“Ky takim ose kjo mbledhje e dy qeverive është një hap i shkëlqyer. Këtë hap Kosova dhe Shqipëria është dashur ta ndërmarrin moti, por më mirë vonë se kurrë. Unë pres të lëvizin punët mbarë”, ka deklaruar Demaçi.
Në këtë kontekst, ka thënë se kjo mbledhje ka elemente të bashkimit kombëtar. “Ky është një lloj bashkimi kombëtar, duke pasur parasysh kohën dhe hapësirën në të cilën jetojmë si dhe trendët ndërkombëtarë në të cilët jemi duke shkuar”, është shprehur Demaçi. Ai ka kërkuar që në të ardhmen të ketë bashkëpunime në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha fushat.
“Mbarë e mirë do të ishte që të gjitha institucionet dhe çdo gjë e cila është e vlefshme për përparimin e dyanshëm të bashkëpunohet. Çdo gjë që është e mirë për kombin do të duhej të kontaktohej dhe bashkëpunohej”, ka thënë Demaçi.
Atdhetari Demaçi ka thënë se është ndjerë mirë kur ka dëgjuar se dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, do ta krijojnë fondin për Luginën e Preshevës.
“Duhet t’i tregohet Serbisë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë nuk do t’i harrojmë kurrë dhe duhet të përpiqemi që me mundësitë tona të jemi pranë tyre dhe t’i ndihmojmë brenda mundësive. Sot mund t’i ndihmojmë më pak, por nesër më shumë. Fillimi i kësaj punë është për çdo lëvdatë dhe mirënjohje”, është shprehur Demaçi.