Demaçi: Edhe një herë të flasë sovrani
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e ngërçit politik është mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Në një bisedë për “Epokën e re”, Demaçi ka thënë se askush nuk duhet t’u frikësohet zgjedhjeve të reja, sepse ka ardhur koha edhe një herë të flasë sovrani.
“Nuk e di pse po frikësohen prej zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Pasi deri më tani s’e zgjidhën problemin, tash duhet t’ia lënë sovranit të drejtën të flasë edhe një herë. Pas gjithë këtyre përjetimeve të hidhura që patëm për këta tre muaj, besoj se duhet t’ia lënë sovranit ta shprehë mendimin e vet. Kjo nuk do të ishte asgjë e keqe”, ka deklaruar Demaçi.
Sipas tij, e mira e së mirës do të ishte që PDK-ja dhe LDK-ja të krijonin një koalicion nga i cili Kosova do të bëhej me Kuvend dhe qeveri stabile. “Kam thënë prej fillimit se e mira e së mirës do të ishte që këto dy partitë e mëdha (PDK-LDK) t’i kishin lënë inatet dhe interesat e ngushta personale dhe të ishin bashkuar dhe ta kishin krijuar një qeveri stabile dhe një Kuvend stabil në mënyrë që të zgjidhen problemet që po na presin. Këta tash janë bunkerizuar dhe konkurrencën e kanë shndërruar gati në armiqësi”, ka theksuar Demaçi, duke shtuar se një koalicion i tillë do të mund të merrte vendime dhe t’i aprovonte të gjitha çështjet që janë duke e pritur vendin.
“Kosova do të çlirohej prej këtyre bllokadave të shumta që kanë ardhur. Po ashtu, do të lirohej rrjedha e ekonomisë dhe shoqërisë”, ka thënë ai.
më tepëer: http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=50946&Ctype=1
