Delegacioni zviceran ka vizituar shkollën 9-vjeçare “Rexhep Elmazi” në Gjilan
Një delegacion nga Fakulteti Pedagogjik në Zug, Zvicër (PH Zug), ka vizituar shkollën 9-vjeçare “Rexhep Elmazi” në Gjilan dhe është shprehur i mahnitur nga niveli i lartë i punës arsimore, rendi, rregulli dhe përkushtimi i stafit në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Delegacioni përbëhej nga Prof. Sabina Stub, rektorja e PH Zug, Prof. Dr. Esther Kamm, prorektori Prof. Dr. Clemens Diesbergen dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik, të cilët u pritën nga drejtuesit e shkollës, Remzi Baliu, ushtrues i detyrës së drejtorit, dhe Ismet Selmi, ushtrues i detyrës së zëvendësdrejtorit, së bashku me stafin mësimor.
Gjatë vizitës, mysafirët panë nga afër funksionimin e shkollës, disiplinën dhe cilësinë e procesit arsimor, duke vlerësuar se standardet dhe praktikat e aplikuara janë në nivel të lartë.
Delegacioni zviceran u nda tejet i kënaqur me atë që pa, duke e cilësuar shkollën si një model frymëzues të përkushtimit ndaj arsimit dhe edukimit cilësor të brezave të rinj.
“Ishte kënaqësi t’i takojmë dhe të shkëmbejmë informacione me këta njerëz të përkushtuar për arsimin dhe edukimin e të rinjve”, u shpreh ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit, Ismet Selmi.
