DYLON

Delegacioni nga Zvicra viziton bizneset e fidanishteve në Kamenicë

Delegacioni nga Zvicra viziton bizneset e fidanishteve në Kamenicë
Avatar photo Redaksia

Një delegacion nga Zvicra, i përbërë nga Dr. François Lefort, profesor HES dhe përgjegjës i programit të Agronomisë në HEPIA, si dhe Vincent Compagnon, profesionist me përvojë të gjatë në sektorin e fidanishteve dhe hortikulturës në Gjenevë, ka vizituar disa biznese të Komunës së Kamenicës që merren me kultivimin dhe prodhimin e fidanëve.

Vizita dhe takimet e delegacionit janë organizuar nga Ekrem Kurexha, i cili është angazhuar në ndërtimin e kontakteve dhe bashkëpunimit ndërmjet palës zvicerane dhe institucioneve, komunave dhe strukturave profesionale në Kosovë.

EkoHigjiena

Gjatë vizitave në terren, delegacioni u shoqërua nga Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dermaku, dhe zyrtarja Almedina Kryeziu. Delegacioni pati mundësi të njihej nga afër me kapacitetet e bizneseve lokale, procesin e kultivimit dhe potencialin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të fidanishteve.

Pas vizitave në terren, delegacioni u mirëprit në Komunën e Kamenicës nga Nënkryetarja Arta Bajralija, me të cilën u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit dhe potencialin për eksportin e fidanëve autoktonë nga Kamenica drejt tregut zviceran dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Nënkryetarja Arta Bajralija theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive të reja për bizneset lokale dhe të lidhjes së tyre me tregjet ndërkombëtare.

“Vizita e delegacionit nga Zvicra është një mundësi e rëndësishme për bizneset tona dhe për promovimin e potencialit që ka Kamenica në sektorin e fidanishteve. Ne jemi të interesuar që përmes bashkëpunimeve të tilla të krijojmë mundësi të reja për bizneset lokale dhe që produktet tona, veçanërisht fidanët autoktonë, të gjejnë rrugë drejt tregjeve ndërkombëtare”, tha Bajralija.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dermaku, tha se vizitat në terren kanë dëshmuar potencialin e bizneseve lokale dhe se Komuna do të vazhdojë të punojë për konkretizimin e mundësive të bashkëpunimit.

“Gjatë vizitave patëm mundësi të prezantojmë nga afër kapacitetet e bizneseve tona dhe potencialin që kanë në kultivimin e fidanëve. Delegacioni u shpreh i kënaqur me atë që pa në terren dhe ne do të vazhdojmë komunikimin me ta, me qëllim që kjo vizitë të konkretizohet në bashkëpunime të qëndrueshme dhe në mundësi të reja për eksportin e produkteve tona në tregun zviceran dhe atë të Bashkimit Evropian”, tha Dermaku.

Delegacioni u shpreh i kënaqur me vizitat dhe kapacitetet e bizneseve të vizituara, duke vlerësuar potencialin për bashkëpunim të mëtejshëm.

Komuna e Kamenicës do t’i njoftojë bizneset dhe palët e interesuara në javët në vijim lidhur me mundësitë konkrete të bashkëpunimit, përfshirë eksportin e fidanëve autoktonë në tregun zviceran dhe atë të Bashkimit Evropian. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.