DYLON

Delegacioni i UKZ-së ka zhvilluar takime të rëndësishme në Shqipëri

Delegacioni i UKZ-së ka zhvilluar takime të rëndësishme në Shqipëri
Avatar photo Redaksia

Delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka”,Gjilan, i përbërë nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof. dr. Dukagjin Leka dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, prof. asoc. dr. Selim Daku, zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me institucione të arsimit të lartë në Shqipëri.

Takimi i parë, me rëndësi të veçantë u mbajt në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD), në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, ku delegacioni u prit nga Dekani, prof. Linert Lirëza, dhe Zëvendësdekania për Shkencë, prof. Belina Bedini.

EkoHigjiena

Në këtë takim u diskutua për nisjen e zhvillimit të një programi të përbashkët bachelor (Double Degree – Diplomë e Dyfishtë) ndërmjet Fakultetit të Shkencave Sociale të UKZ-së dhe Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike të UAMD-së.

Programi do të përfshijë mobilitet të integruar të stafit dhe studentëve. Të dy palët u pajtuan që procesi të nisë me krijimin e grupeve punuese dhe hartimin e elementeve kyçe të programit. Po ashtu u diskutua edhe për një program të veçantë shkëmbimi për studentët dhe stafin e të dy institucioneve, bazuar në modelin dhe përvojën e UKZ-së dhe Universitetit PH Zug në Zvicër. Fakulteti i Shkencave Sociale (FShS) dhe Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike (FShJ) do të zgjerojnë bashkëpunimin në të gjitha nivelet akademike dhe shkencore.

Gjatë vizitës në Shqipëri, delegacioni realizoi gjithashtu një takim me përfaqësuesit e Universitetit Europian të Tiranës (UET), ku u prit nga znj. Dardane Nuka, koordinatore e disa projekteve ndërkombëtare ku UKZ është partner dhe koordinator. Në këtë kuadër, u diskutua për menaxhimin dhe fazat e projekteve ekzistuese, si projekti DELTA, si dhe për nisjen e projektit të ri dhe shumë premtues MEDIATION, ku UKZ ka rolin e koordinatorit.

Vizita u pasurua më tej me një takim me administratorin e Canadian Institute of Technology (CIT), z. Ubejd Osmani. UKZ dhe CIT, si partnerë të besueshëm, diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, i cili pritet të konkretizohet edhe përmes programit të ri master mbi E-Privacy, që aktualisht është në zhvillim nga UKZ.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar për të zhvilluar dhe thelluar bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, duke hapur horizonte të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin shkencor në të dy anët e kufirit. Ky angazhim është pjesë e vizionit strategjik të UKZ-së për ndërkombëtarizim dhe avancim të cilësisë së arsimit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.