Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes zhvillon aktivitete zyrtare në Vukovar të Kroacisë
Në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën ASDA 2026, delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes, i kryesuar nga zëvendësministri Gegë Lleshi, realizoi një vizitë edhe në qytetin e Vukovarit, me qëllim të njohjes nga afër me historinë e luftës dhe vendet përkujtimore që dëshmojnë sakrificën e popullit kroat në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Delegacioni, gjatë vizitës në Vukovar, vizitoi Spitalin Memorial, Muzeun Përkujtimor dhe lokacione të tjera me rëndësi historike, si dhe bëri homazhe në Varrezat Memoriale të Viktimave të Luftës së Atdheut, duke vendosur lule në nderim të të rënëve.
Gjatë vizitës, delegacioni u informua mbi zhvillimet historike të luftës në Vukovar, vuajtjet e popullatës civile dhe pasojat humanitare të konfliktit. Kjo vizitë shërbeu gjithashtu si moment reflektimi mbi përvojat e ngjashme të Republikës së Kosovës gjatë viteve 1998–1999.
Në margjinat e aktiviteteve të ASDA 2026, Ministri i Mbrojtjes zhvilloi takime me veteranë të Luftës së Atdheut të Kroacisë, përfshirë edhe veteranë me prejardhje shqiptare që kontribuuan në mbrojtjen e Kroacisë gjatë luftës. Me këtë rast, u shpreh mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e tyre në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe paqes.
Po ashtu, delegacioni u takua me pesë kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët vijojnë studimet në institucionet edukative ushtarake të Republikës së Kroacisë. Gjatë takimit u diskutua për ecurinë e studimeve dhe zhvillimin profesional të tyre, duke vlerësuar përkushtimin e kadetëve në ngritjen e kapaciteteve të tyre akademike dhe ushtarake në shërbim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Delegacioni poashtu vizitoi edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb, ku u prit nga Ambasadori i Republikës së Kosovës, Dr. Martin Berishaj, dhe stafi diplomatik. Në takim u diskutua për aktivitetet e ambasadës në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional në fusha me interes të përbashkët.
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me vendet partnere, zhvillimin e kapaciteteve profesionale të sektorit të mbrojtjes dhe promovimin e vlerave të përbashkëta të paqes, sigurisë dhe demokracisë, thuhet në njofitmin e Ministrisë. /2LONLINE/
