Kryetari i Lëvizjes Vetëvnedosje, Albin Kurti, së bashku me aktivistë dhe deputetë të Lëvizjes bënë sot homazhe në Reçak, me rastin e 16 vjetorit të masakrës së Reçakut.
“Erdhëm që të bëjmë homazhe sot në Reçak, në përkujtim dhe në nderim të 45 civilëve të vrarë dhe 11 ushtarëve të UÇK-së, të cilët ranë në mbrojtje të më të dashurve të tyre, të cilët Serbia dëshironte që t’i rrëmbente edhe si kufoma. Pa e nderuar dhe pa e respektuar të kaluarën tonë, ne nuk mund të jemi të sigurt dhe të fuqishëm drejt së ardhmes sonë. Prandaj, homazhet që sot i bënë gjithë populli i Kosovës këtu në masakrën e Reçakun nuk kanë të bëjnë vetëm me historinë tonë, por edhe me të tashmen tonë dhe me të ardhmen tonë. Pa jehonën e pushkëve të UÇK-së dhe pa tronditjen që opinionit publik ndërkombëtar ia bëri kjo masakër, nuk do të dëgjohej ushtima e avionëve të NATO-s teksa ata bombardonin caqet ushtrisë jugosllave dhe të policisë serbe. Familjet e dëshmorëve dhe të martirëve, veteranët e luftës së UÇK-së, nuk janë problem social por janë zgjidhja politike, dhe shteti i Kosovës duhet t’i konsiderojë dhe t’i trajtojë si të tillë. Mbi të gjitha, masakra e Reçakut na e përkujton të gjithë neve se shqiptarët si qytetarë të Republikës, çmimin e lartë që e kemi paguar për lirinë dhe pavarësinë tonë, që edhe më tutje mbesin jo të plota. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit” ka thënë Kurti.
Ndërsa i pyetur se si e komentoni deklaratën e ministrit Jabllanoviq, kur thotë se nuk ka dëgjuar për masakra (si kjo) në Kosovë?
Albin Kurti ka thënë se duhet pasur parasysh që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është përfshirë as në Deklaratën e Pavarësisë, dhe as në Kushtetutën e Republikës, ndërkaq kjo u kurorëzua përfundimisht me një marrëveshje në Rashkë me 9 dhjetor për qeverinë e koalicionit PDK-LDK-Srpska, dhe unë besoj që kjo paraqet lejen dhe tolerimin për një ministër të tillë. “Natyrisht që ministri i tillë nuk e ka vendin jo vetëm në Qeverinë e Republikës së Kosovës, por as në skenën politike kosovare. E përsërisim edhe njëherë që Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka thënë qysh moti se Lista Serbe është sajuar në Beograd, me frymë dhe ide çetnike. Kjo nuk është mirë për Kosovën, për demokracinë, për drejtësinë, për parlamentarizmin, për Republikën, por ne nuk kemi shpresa në duetin Mustafa-Thaçi, të cilët i tolerojnë dhe i lejojnë këto gjëra vetëm e vetëm që ta mirëmbajnë veten e tyre në pushtet. Pra, bëhet fjalë për një qeveri e cila u formua më 9 dhjetor, me marrëveshje me Listën Serbe në Rashkë, dhe për një qeveri e cila sot e lejon Vuçiqin që të sorollatet nëpër Kosovë dhe t’i përsëritë të njëjtat deklarata që i pati thënë në vitin 1998 kur Kryeministri i Serbisë atëbotë ishte Ministër i Informatave në qeverinë e Millosheviqit”, ka thënë Kurti./2L ONLINE/