‘Deklaratat e liderëve serbë nuk i ndihmojnë dialogut’
Ministri i Punëve të Jashtme i Letonisë Edgars Rinkevics, ka kritikuar palën serbe për deklaratat e ditëve të fundit rreth vizitës së kryediplomatit kosovar Hashim Thaçi në Serbi.
Sipas tij, deklaratat e tilla nga të dyja palët nuk i ndihmojnë dialogut që po zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Këto komente Rinkevics i bëri pas një takimi që ka pasur me Ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, me të cilin kanë biseduar rreth integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, liberalizimit të vizave, gjykatën speciale dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Rinkevics i pyetur nga gazetarët rreth mos lejimit të Hashim Thaçit ta vizitojë Serbinë, tha se këto deklarata nuk i ndihmojnë dialogut që po zhvillohet ndërmjet dy vendeve.
“Mendoj që të tilla deklarata të bëra nganjëherë nga politikanët nga të dy palët do të thosha nuk e mbështesin zhvillimin e përgjithshëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj shpresoj që do të kemi dialog të kujdesshëm dhe kuptimplotë dhe të mirë, i cili është shumë i komplikuar për shumë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, prandaj deklaratat duhet të bëhen me kujdes”, tha Rinkevics.
Kreu i diplomacisë së Letonisë është shprehur i mahnitur më zhvillimet që ka parë në Prishtinë, që prej vizitës së parë para 10 viteve që kishte bërë në Kosovë. Rinkevics shtoi se me ministrin Çollaku kanë biseduar rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe nevojën për të përmbyllur marrëveshjen për MSA-në ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Ndërsa, rreth liberalizimit të vizave, kryediplomati letonez tha se duhet të meritohet dhe mezi presin raportin e Qeverisë së Kosovës për të arriturat në përmbushjen e kritereve të dala nga udhërrëfyesi për vizat. Derisa, theksoi se mezi pret ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë Gjykatës Kushtetuese.
Rinkevics: Liberalizimi duhet të meritohet
“Ky është një proces që duhet të meritohet dhe jo i bazuar në kalendar, prandaj presim përparim në procesin në të gjitha fushat e liberalizimit të vizave. Unë, po ashtu mezi pres t’i shoh ndryshimet në Kushtetutë që do të hapin rrugë për themelimin e Gjykatës Speciale, në radhë të parë për qytetarët e Kosovës për të pasur hetime të pavarura në krimet e luftës të supozuara dhe për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që janë përgjegjës për krime, dhe mendoj që kjo do t’iu çojë me afër BE-së”, theksoi Rinkevics.
Edhe ministri për Integrime Evropiane Bekim Çollaku tha se me ministrin e Letonisë biseduan për integrimin e Kosovës në BE dhe për themelimin e Gjykatës Speciale.
Sipas tij, Kosova ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm drejt integrimit duke marr parasysh procesin e vështirë dhe të komplikuar nëpër të cilin ka kaluar Kosova deri me tani.
“Në këtë fazë jemi në prag të dy momenteve kyçe që do ta çimentojnë rrugën drejt BE-së. procesi i parë ndërlidhet me nënshkrimin e MSA-së që ne presim të ndodh sa më shpejt, dhe një gjë e tillë në dëshirojmë të ndodh gjatë presidencës së Letonisë që i bie deri në qershor apo korrik, mirëpo ehe nëse nuk ndodh deri në këtë periudhë, ky është një moment i veçantë për Kosovën pasi me në fund krejt zyrtarisht Kosova futet në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Përveç marrëveshjes së MSA-së, diskutuam edhe për procesin tjetër të rëndësishëm për qytetarët që është liberalizimi i vizave. E informova ministrin për punën e madhe që kemi bërë për kriteret e përcaktuara në udhërrëfyes”, tha Çollaku.
Derisa, rreth gjykatës speciale Çollaku tha se duhet ta themelojnë që t’i heqin dilemat e ngritura nga raporti i Dick Marty.
Çollaku: Gjykatën speciale duhet ta formojmë
“E informova që Qeveria ka miratuar ndryshimet kushtetuese dhe ka proceduar në Kuvend dhe nga Kuvendi në Gjykatën Kushtetuese dhe tani së voni Kushtetuesja ka dhënë dritën jeshile dhe tani priten hapat e mëtutjeshëm nga Kuvendi në këtë drejtim duke qenë të bindur se zbardhja e të vërtetës nga ato aludime që janë bërë në raportin e Dick Martyt, janë në të mirë të Kosovës dhe perspektives euroatlantike të Kosovës”, tha Çollaku.
Çollaku shtoi se procesi i formimit të Gjykatës Speciale është një obligim që Kosova ka marr mbi vete qysh vitin e kaluar, që është një obligim ndërkombëtarë.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=28158
