Deklarata e trajnerit të Dritës pas kualifikimit të kësaj skuadre në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve
Kampioni i Kosovës, Drita nga Gjilani, është kualifikuar në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.
FC Drita, mbrëmë ka shënuar fitore në udhëtim ndaj skuadrës Differdange 03, dhe me rezultat të përgjithshëm 4:2, kalon tutje duke u kualifikuar për rrethin e dytë të ligës së Kampionëve, duke u bërë kështu skuadra e parë kosovare që arrin një sukses të tillë në garën më prestigjioze të futbollit evropian.
FC Drita, në raundin e dytë do të luaj kundër skuadrës së njohur daneze, FC Copenhagen, e kryetrajneri i skuadrës “bardh e kaltër” flet pas ndeshjes së mbrëmshme.
Ja deklarata e tij e plotë:
***
“Kam besuar në punën që kemi bërë dhe në cilësinë e ekipit, dhe ja që u kualifikuam në raundin e dytë. Por në këtë kanë besuar të gjithë në skuadrën tonë, dhe së bashku arritëm të kalojmë raundin e parë. Ishte një obligim profesional dhe kolektiv ta kalonim këtë sfidë – dhe ia dolëm ta përmbushim qëllimin tonë.
Tani, natyrisht, kemi përballë një kundërshtar ndryshe. Por më parë duhet të bëjmë analizën dhe pastaj, si staf, të japim më të mirën për të përgatitur një analizë të mirëfilltë, e cila pastaj do t’u përcillet futbollistëve. Ata e dinë dhe e kanë aftësinë të japin maksimumin në fushë. Me flamur të bardhë nuk do të dalim!
Nëse duam të bëhemi lajm kryesor në Evropë, duhet të eliminojmë kundërshtarë të këtij rangu”. /2LONLINE/
