DYLON

Degradimi i natyrës e shqetëson tejmase 75-vjeçarin Osman Ibrahimaj (foto)

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Osman Ibrahimaj, 75-vjeçari gjilanas, tani më është i njohur nga të gjithë si dashamirë i natyrës dhe i përkushtuar për një ambient të pastër. Ai është vullnetar i mëngjesit dhe frekuentuesi më i shpeshtë i Stanishorit të Novobërdës, asaj pjese rekreative ku shumë qytetarë, veçmas gjilanas, shkojnë për t’u relaksuar në ditët e tyre të lira, por edhe sportistët të ndryshëm mund t’i gjejmë aty duke i kryer ushtrimet e tyre të ndryshme.

Ibrahimaj, përkundër moshës që ka, përveç për relaks del edhe për ushtrime rekreative dhe se në këtë vazhdë, ai jep kontributin e tij maksimal që kjo pjesë rekreative e Stanishorit të mbahet sa më e pastër. Ai me disa shokë shpesh herë pastrojnë pjesë të ndryshme.

EkoHigjiena

Por, kohët e fundit , disa pjesë të saja janë aq keq të degraduara nga papërgjegjësia e disa individëve, që hedhin aty mbeturina, sa që Ibrahimaj thotë se ndihet shumë i shqetësuar dhe kjo qasje e disa individëve ndaj natyrës i dhemb shumë. Sidomos, ai është i prekur thellë, që degradimi i fundit që po i bëhet kësaj pjese, po ndodh edhe me mbetje të kafshëve, duke bërë që në ato pjesë as të mos mund të kalohet nga kundërmimi.

Përndryshe, ai thotë se shpesh herë i njofton institucionet komunale në Novobërdë nga të cilët kërkon që të pastrohet ai vend, por edhe të ndërmarrin diçka konkrete që këto veprimet të shëmtuara të mos përsëriten më.

Ai kërkon edhe nga inspektorët komunal por edhe nga policia, të merren me “degraduesit” e natyrës, ata ta marrin dënimin e merituar dhe të jenë shembull edhe për të tjerët për të mos marrin veprime të tilla që e ndotin ambientin. Në të kundërtën, degradimi veçse do të rritet dhe një ditë ky vend, nga një hapësirë rekreative –sportive, që tërheqë vizitorë anekënd Kosovës, do të shndërrohet në një deponi mbeturinash.

Që të mos ndodh kjo, duhet urgjentisht të reagojnë përgjegjësit, shprehet Ibrahimaj. Përndryshe ai thotë se nuk do të rresht së angazhuari për ruajtje të një ambienti të pastër dhe do t’i denoncojë të gjithë ata që do t’i sheh duke hedhur mbeturina aty, por ai kërkon që punën e tyre ta bëjnë edhe përgjegjësit, e mos ta lënë që kjo brengë të jetë vetëm e një 75-vjeçari. /2L ONLINE/