DYLON

Degradimet në gjyqësi dhe mashtrimet e Qeverisë Komunale

Avatar photo Redaksia

Nga: SHEFIK SHKODRA

Kemi thënë edhe herë të tjera se, arsimi parauniversitar ka mbetur në instancën e fundit prej atyre veprimtarive shërbyese publike. Një herë një qytetar thoshte për vëllazërinë si një vjershë të gjatë, “ka hala, terr e bela”. E kjo ‘terr e bela’ u bie në shpinën e paqëndrueshme e më jetëshkurtër pensionistëve, si zorrë qorre. Atyre të kësaj veprimtarie shoqërore – arsimit. Me 140.oo € duhet ta pranojnë këtë dhuratë pleqërie. Nëse dikush ka edhe nga ai “trusti” (e fus në thonjëza këtë emër se, nuk ia di kuptimin as që ka ditur kush ta shpjegoj deri më tash) 100. oo -150. oo €, përafërsisht 280. oo €, pa llogaritur kurrfarë shkallëzimi në përvojë, kualifikim, etj. Dhe ata që e kanë provuar ta kalojnë motin e një muaji me të gjitha shpenzimet shtëpiake, e dinë fort mirë se, s’ka mundësi as të mbath një palë këpucë të reja prej dhjetë euro. Për çdo ditë çmimet ngritën. Këto para që i merr pensionisti i jonë nuk mund t’i kryejë punët as për një javë ditë. Sa për pushime e dëfrime tjera nuk mund të flitet fare. Madje, për këtë të fundit s’bën të flitet, ngase qeveritarët tanë do të qeshnin e do të ironizonin: ‘Çka do plaku? Me çue n’deti? ndoshta me ia gjet edhe ndonjë nuse!…ha-ha-ha?! Dinjiteti i kësaj shtrese shoqërore ka tretur kaherë…!

EkoHigjiena

‘Me ligj, thonë, po punojmë’

Është qëndrim dhe vendim nga institucionet tona që, mësimdhënësve pas përfundimit të karrierës profesionale me moshë dhe shkuarjes në pension, t’u jepen tri apo katër (?) paga. Nuk e di sa. Do të thotë, që të “shpërblehen” përherë të fundit. Një farë “sadakaje” për periudhën e mbetur në këtë jetë. Të themi shkurt, ky veprim sadopak është shenjë e mirë. “Topi s’e luan”, sikur të mos i mashtronin po këto institucione. Po si bëhemi qesharak me këto punë që i pështjellojmë vetë! Përse e lejojmë veten si qeveri e institucione tjera që, mësimdhënësit në këtë moshë duhet të vrapojnë si qen pas një kocke të mbetur rrugëve. Do të thotë, prej një zyre në tjetrën…Çfarë ligji ushtrohet me këtë rast, çfarë vepre cilësohet kjo që t’i ngatërrojmë njerëzit? ‘Me ligj, thonë, po punojmë’. Hë! Shumë qesharake. Kështu ka ndodhë edhe me Kontratat kolektive.

Qeveritë pa mbulesë para opinionit

Qeveritë komunale e kanë pasur financimin e arsimit. Disa prej tyre me lidhje apo aftësi, i kanë kryer këto obligime ndaj pensionistëve arsimor. Disa prej tyre, kushedi, asnjëherë nuk do t’i kryejnë. Na duket sikur pas Luftës Dytë Botërore, kur Kryqi i Kuq bënte përpjekje që ta ndihmoj popullatën e varfër me artikuj ushqimor dhe veshmbathje. Këto ndihma deri te nevojtarët vështirë arrinin si të tilla as në pikëpamje sasiore e as cilësore. Më parë komunarët i zgjidhnin artikujt ushqimorë dhe rrobat më të reja, duke i ndërruar me ato pandëlat e tyre, madje edhe të palara. Me këta artikuj, kur arrinin nëpër ato fshatra më të largëta edhe në këtë rast furnizoheshin mirë “odborrnikët” e katundit, duke u marrë vesh në mes veti çka e si t’i ndajnë, kështu nevojtarëve nuk u mbetej për hise as sa në bisht të sorrës. Çështja e punëtorëve të arsimit sot, s’mund të krahasohet me këtë rrëfim. Njëherë, mësimdhënësit do të duhej të ishin të privilegjuar për punën e tyre (luftëtarët e parë për lirinë e atdheut) dhe kurdoherë të parët në arsimim e edukim; nuk kërkojnë e as duan lëmoshë, meqë janë të dinjitetshëm; nuk janë panlaverë e palaço cirku…dhe atë që është dashur, e në mënyrë legjitime u takon (s’janë paguar kurrë si duhet), vetë ato institucione për këtë kanë marrë vendim. Pas përfundimit të punës në kohën e paraparë me ligj, këto paga nuk janë derdhë në xhirollogarinë e asnjërit punëtor (sa dihet) në Gjilan, por me udhëzime juridike janë detyruar të bëjnë padi në gjykatën komunale. Disa komuna ua kanë dhënë menjëherë pas përfundimit të karrierës, do të thotë, në ditët kur janë pensionuar. Në disa të tjera jo, ose pjesërisht, do të thotë, vetëm disave, atyre më të “aftët”. Për këtë nuk kundërshtojmë, mirë që dikush i ka marrë.

Vendimet e gjyqeve të pazbatueshme, veç me proteksion

Pjesa më e madhe e këtyre kandidatëve kanë bërë padi sipas udhëzimeve administrative. Në Gjilan bie fjala, sipas informatave që kanë dalë, prej vitit 2005 – 2014, janë pensionuar rreth 210 mësimdhënës. Edhe pse Gjykata u ka dhënë të drejtën palëve të dëmtuara dhe i ka vendosur lëndët pozitivisht, përfaqësuesi i komunës me ankesë, lëndët i ka kthyer në rishqyrtim. Prej këtyre 210 pensionistëve, pesë veta i kanë marrë nga katër (4) paga, dy persona i kanë marrë nga tri (3) paga; dhe tridhjetë të tjerë i kanë marrë nga dy (2) paga. “Gjykata Komunale në Gjilan, përmes gjykatësit (…) dhe organit përmbarues (filan f.) në procedurën e ekzekutimit sipas propozimit të kreditorit (f. f.) nga Gjilani ndaj debitorit Komuna e Gjilanit, për shkak të pagesës e daljes në pension, jashtë seancës me dt 11.10.2012, mori këtë Aktvendim – I lejohet…” etj. Në arsyetim shkruan: “Vendimin e vet Gjykata e mbështet në faktin se aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Gjilan Cnr 169/2011 i datës 03.04.2012 si dhe aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan AC185/2012 të dt 02.07.2012 është i ekzekutueshëm dhe se me këtë rast janë plotësuar kushtet ligjore për ekzekutimin e tij.” Kështu ngjashëm ishte edhe për tridhjetë e gjashtë persona. Pse këtyre u ekzekutohet vendimi pozitiv dhe të tjerëve nuk ka mundur t’u kryhet kështu. Këta tridhjetë e shtatë veta i kanë marrë nëpër mes asaj Gjykatës Komunale (sigurisht, kur kandidati ka pasur lidhje me njerëzit e komunës apo gjykatësit). Kështu ka vepruar edhe Gjykata e Apelit në Prishtinë, me lidhje farefisnore ua bëri të mundshme këtë veprim disave, pjesa tjetër prej afro 173 vetë kanë mbetur në pritje të pakufishme.

I tërë regjistri për pensionistët ndodhet në zyre të kryetarit të komunës në Gjilan.

Me Ligjin për vepra të njëjta bëhen seleksionime

Është e çuditshme, të padisin qytetarët qeverinë, përkatësisht ministritë, të drejtësisë e financave për t’i marrë të ardhurat që janë të destinuara për ta me ligj. Disa herë e kemi pa publikisht se, zyrtarët tanë nuk dinë çka thonë për shpenzimet. Ose, përpiqen t’i fshehin e t’i arsyetojnë me gënjeshtra. Për këtë disa herë u kemi tërheq vërejtjen si qytetar se, nuk është mirë që mjetet me destinacion të zhvendosen e të shpërdorohen. Do të thotë, prej këtij xhepi në tjetrin, si “me leje të Bajram Begut”, i hedhim atje e aty ku ne si “patronë” dëshirojmë. Pyetja kryesore: Përse dikush ka mundur të përfitoj nga kjo çështje, e palët tjera të mbeten si të pa rëndësishëm. Si të padrejtë. Si njerëz të rendit të dytë. Si persona non grata e të padëshiruar. Shkurt, si me pa të drejtën e qytetarit lojal të këtij vendi. Që do të thotë, nuk vlen ligji për ta, derisa për një numër të caktuar po. A është fjala për ligjin, pjesë e rregullimit shtetërorë e kushtetutës të vendit, apo vullneti partiak, individual, grupor – katastrofal! /2L ONLINE/