Debat për parandalim të pjesëmarrjes së të rinjëve në grupet ekstremiste, radikaliste dhe terroriste
/2L ONLINE/ – Organizuar nga “Partners Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve” nga Prishtina, sot është mbajtur debat, në të cilin ishin pjesëmarrës drejtori i arsimit, përfaqësues të Policisë së Kosovës, Bashkësisë Islame, përfaqësues nga qendra për parandalim të terrorizmit në Policinë e Kosovës, drejtorët dhe nxënësit e disa shkollave dhe pjesëmarrës të tjerë, lidhur me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e të rinjve gjilanas, në grupe të cilat janë me qëllim të përfshirjes në ekstremizmin e dhunshëm dhe në luftëra të ndryshme në shtetet e lindjes.
Me këtë rast drejtori i arsimit Nazmi Musa, ka thënë se falë angazhimeve të përbashkëta të të gjitha institucionet në nivelin lokal, për më shumë se gjashtë muaj nuk kemi të rinjë që kanë shkuar në atë drejtim dhe për më shumë se dy vjet nuk kemi rast të vrasjeve si pasoj e akteve kriminale në Gjilan.
“Falë angazhimit të përbashkët të të gjitha institucioneve, sot ne kemi një Komunë ndër më të sigurtën në nivel vendi. Lusim të gjithë qytetarët, stafin në arsim dhe nëpër shkolla, që të punojnë më shumë në bartjen e mesazhit tek të gjithë nxënësit dhe qytetarët që pjesëmarrja në luftat e shteteve të lindjes, është luftë e përfitimit të grupeve kriminale dhe terroriste. Angazhimi në parandalim mund të bëhet vetëm atëherë, kur të gjithë përfshihemim në mbrojtje të shtetit, kombit dhe religjionit njëkohesisht”, ka thënë Musa duke potencuar nevojën e organizimit të debateve brenda shkollave.
Në këtë debat, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka thënë për fat të keq islami është shfrytëzuar negativisht nga individ të caktuar, jashtë BI-së, duke nxitur të rinjtë për pjesëmarrje në luftërat e shteteve të lindjes.
“Për fat të keq islami është shfrytëzuar negativisht nga individ të caktuar, jashtë BI-së, duke nxitur të rinjtë për pjesëmarrje në luftërat e shteteve të lindjes. Është koha e angazhimit maksimal të të gjithë neve bashkërisht, me të gjitha institucionet, që të fokusohemi dhe hargjojmë kohë të gjatë në parandalim të shtrirjes së kësaj fryme negative në rininë tonë. Fjala hyjnore në Kur-an thotë: ‘Ai i cili mbyt një njeri, është njejtë sikur të gjithë njerëzit në botë ti ketë mbytur dhe ai i cili shpëton një njeri, është sikur ta ketë shpëtuar gjithë njerzimin’. Prandaj, të punojmë sipas asaj që vërtetë thuhet në librin e shenjtë dhe nuk do të kemi asnjë problem në këtë drejtim, duke mos shtrembëruar asgjë”, ka thënë Aliu ndër të tjerash.
Kurse, komandanti i stacionit policor në Gjilan, Remzi Azemi, ka thënë se Policia e Kosovës është duke punuar në vazhdimësi, në zbulimin e hershëm, sepse shumë lehtë me angazhim të përbashkët mund ta mbajmë këtu një të ri, i cili, ka nisur të ketë kontakte me rekrutues, por shumë e vështirë është kthimi i tij dhe rehabilitimi në shoqëri dhe në jetë në përgjithësi nëse një person i bashkangjitet grupeve terroriste.
Ndryshe, Gjilani njihet tradicionalisht për tolerancë të lartë fetare, ku nuk mbahet në mend që ndonjëherë të ketë pas konflikt ndërfetar mes religjioneve në këtë Komunë. /2L ONLINE/
