Gianni De Biasi duke nisur nga kjo e shtunë do të ketë një motiv më shumë për të besuar e për t’u ndier një shqiptar me të gjitha efektet. Trajneri italian pritet të marrë pasaportën shqiptare vetëm një ditë para ndeshjes vendimtare të Kombëtares Kuq e Zi me Armeninë. Me dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Gianni de Biasi do të marrë nënshtetësinë shqiptare duke u bërë edhe formalisht një Kuq e Zi, edhe pse me shpirt ka dhënë provat se ndihet i tillë prej kohësh. Zyra për marrëdhëniet me shtypin e Presidencës ka njoftuar se Presidenti Bujar Nishani do të ketë një takim këtë të shtunë në orën 11:30 me Kombëtaren Shqiptare të Futbollit, Trajnerin e saj Gianni De Biasi si dhe Presidentin e FSHF, Armand Duka para ndeshjes me Armeninë, por burime pranë presidencës kanë konfirmuar për Sport News se tashmë gjithçka është gati dhe trajneri italian do të marrë pasaportën Shqiptare.
De Biasi, i cili drejton që nga viti 2011 Kombëtaren Shqiptare të Futbollit, deklaroi në muajin janar gjatë një interviste për faqen e Tifozave Kuq e Zi se dëshironte të merrte pasaportën shqiptare dhe do të ishte shumë krenar nëse merrte nënshtesinë shqiptare duke shtuar me një batutë se prej 3 vitesh e ndien veten të martuar me Shqipërinë, dhe diçka e tillë tashmë është bërë realitet dhe mund të thuhet me plot gojën “De Biasi, njëri prej nesh”.