/2L ONLINE/ – Përkundër apeleve, por edhe rasteve të publikuar kur po pësohet nga të shtënat me armë zjarri nëpër ahengje të ndryshme duke i shndërruar ato nga gëzimi në hidhërimi, megjithatë akoma po ka aso dasmorë “të papërgjegjshëm”, që nuk po mbushen mend dot, duke bërë që të ketë akoma raste që raportohen për të shtëna nëpër dasma.
Por, gëzon fakti që policia nuk po rri duarkryq, por, po iu rri si gati këtyre rasteve dhe pa pardon po iu tregon atyre dasmorëve me armë, që Policia e Kosovës është këmbëngulëse në respektim të ligjit dhe nuk ka tolerancë në këtë drejtim, ndaj askujt që për një “qejf” të momentit, paraqet rrezikshmëri.
Kështu, policia ka njoftuar edhe për një rast që ka ndodhur në Gjilan, kur siç ka bërë të ditur për 2L ONLINE, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, sot rreth orës 14:45, një i dyshuari L,R.(1958), shqiptar, shtetas i Kosovës, derisa ka qenë në kolonë të dasmës, ka nxjerr një armë zjarri dhe ka shtënë në ajër një herë.
“Menjëherë është arrestuar ky dasmor nga policia dhe është konfiskuar edhe arma me gaz Ekol, një karikator dhe 7 fishekë 9 mm. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti procedohet për shqyrtim të mëtejmë në Prokurori Themelore”, ka thënë Hashani.
Ai tha se nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt prandaj apeloi edhe njëherë që dasmorët të festojnë me zemër e jo me armë, që të kemi festa e jo tragjedi.
“Edhe përkundër apeleve, po dëgjohen të shtëna me armë nëpër ahengje të ndryshme. Policia e Kosovës do të vazhdojë me këmbëngulje të jetë në zbatim të ligjit. Në asnjë formë nuk do të lejojmë që festat dhe gëzimet të kthehen në tragjedi dhe të kemi humbje jete”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan. /2L ONLINE/