Afërdita Morina – Biffar
/2L ONLINE/ – Të gjitha qytetet në Kosovë, secili qytetar e qytetare e saj e kanë nga një histori, kanë secili nga një histori të dhimbshme të tmerrit që përjetuan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Histori e një lufte, e cila la pas vetes shumë viktima dhe shumë rrënoja. Në këtë fund shekull, Kosova kaloi katarzën më të madhe. Hiena e karpateve, 16 vite më parë me 12 qershor, u detyrua të lëshoj trojet tona, e mundur deri në sfilitje nga forcat aleate te NATO-së.
Në historinë më të re të Kosovës, nuk ka festë më kuptimplote dhe më emocionale për qytetarët e saj. Dita e futjes së trupave të NATO-së në Kosovë simbolizon fundin e ankthit dhe tmerrit të të gjithë qytetarëve të saj. Festimi i kësaj dite jo vetem që shënon ardhjen e lirisë së shumëpritur por shpreh edhe mirënjohjen e thellë ndaj vendeve mike të botës së civilizuar, që u bënë bashkë rreth një qëllimi: ta mundin të keqen-robërinë e dhunën dhe t’i dalin zot një populli që vuante, vritej e persekutohej vetem pse kërkonte të jetonte i lirë!
16 vite pas, bota vazhdon të ketë në mendje imazhet e shumë qytetarëve të Kosovës që u uronin ushtarëve te KFOR-it, u hidheshin në përqafim, i mbulonin me lule të freskëta, derisa brohoritnin “NATO, NATO”..e lot gëzimi u rridhnin nga sytë, sepse i konsideronin shpëtimtarë të tyre..shpëtimtarë të mijëra jetëve që me ditë të tëra, të ngujuar, kishin jetuar tmerrin duke e parë vdekjen me sy.
Prandaj, ne, çdo 12 qershor, aleanca më e madhe ushtarake në botë, ata që morën vendimin për të na mbështetur në ditët tona më të vështira, ata djem e vajza që erdhen nga anë e kënd botës, nga ajri e toka, duke vënë në rrezik jetët e tyre, për të shpëtuar jetët tona meritojnë falenderimin tonë, meritojnë mirënjohje pa fund..meritojnë te ju tregojmë se nuk e harrojmë atë që bënë për ne, për popullin liridashës të Kosovës martire.
NATO dhe miqtë e demokracive perendimore, meritojnë që çdo vit nga ne të dëgjojnë si në kor një : Faleminderit NATO e botë demokratike ! Përjetësisht u jemi mirënjohës!
Është e dhimbshme dhe e turpshme se si partitë opozitare edhe këtë ditë, që do të mbetet ditëlindja e dytë e secilit prej qytetarëve të Kosovës që përjetoj tmerrin e luftës, u mundua ta instrumentalizojë e bastardojë, duke na shitur “dushk per gogla!”. Si mund të thuhet, vetëm 16 vjet pas, se kjo ditë nuk i‘a vlen të festohet sepse qytetarët nuk paskan bukë për të ngrënë e po jetuakan në kushte të këqija.
Të nderuar opozitarë, para kësaj ditë përveç që nuk kishim për të ngrënë e jetonim keq , ne rrezikoheshim nga minuti në minutë të eleminoheshim nga barbaria serbe. Sot ndoshta jemi të varfër por jetojmë në liri, e ata që na shpëtuan nuk janë përgjegjës e as fajtor për mjerimin dhe paaftësinë tonë për tu ringritur, për ta dashur e zhvilluar vendin tonë.
Nga 12 qershori ’99 e këndej ishte në duart tona, në duart tuaja që sot refuzuat ta festonit këtë ditë, ishte në vullnetin tuaj, të gjithë neve, që të përvilnim mëngët e të ringriteshim fuqishëm për ta bërë vendin tonë të vogël një oazë të mirëqenjes për neve e brezat pas. NATO dhe aleatët e Kosovës, nuk na e kanë fajin që ne u hutuam pas vjedhjeve,grabitjeve, haraçit e luftës për pushtet.
Të gjitha të këqijat e plagët që ju shkaktuan Kosovës gjatë këtyre 16 viteve në liri, i përjetuam me dhimbje, i ndjemë thellë në shpirt.. por për popullin e stërvuajtur të Kosovës, asnjë moment e asgjë nuk e zbehi ndjenjën e falenderimit dhe mirënjohjes së thellë për ato trupa ushtarake që flisnin gjuhë të ndryshme, mbanin uniforma me flamuj të ndryshëm…ata të cilët per qytetarët qe i pritën me lule e klithma gëzimi, flisnin vetem nje gjuhë-gjuhën e lirisë dhe paqes !
Prandaj mos luani me ndjenjat e njerëzve të këtij vendi duke përdorur karta të dyshimta të interesit ditor, sepse me Ju e pa Ju, në “Dasmën e Lirisë”, qytetarët e kanë të ngulitur thellë në zemër FALENDERIMIN për NATO-në, dhe gjithë aleatët që i sollën lirinë!!! /2L ONLINE/