Dashuria që nuk vdes
Shkruan: Timo Mërkuri
DASHURIA QË NUK VDES
(Pas leximit të një poezie të Sherafedin Kadriut, “M’ka vdekë dashnia për kremte”, e publikuar më 30 mars 2025)
Një poezi që dhemb gjer në kockë mund ta quajmë poezinë “M’ka vdekë dashnia për kremte” e Sherefedin Kadriut sa që të lindë mendimi se kjo poezi nuk është shkruar me penë, as në kompjuter, madje kjo poezi nuk është shkruar fare nga poeti. Me siguri që kjo poezi nuk është thjesht e shkruar, kjo është rënkuar, është vajtuar në mënyrë poetike. Çdo varg i saj duket sikur nuk është rezultat i mendimit, por i një dhimbjeje që vjen nga thellësia e shpirtit, nga përplasja me vetë qenien dhe ekzistencën. Dhimbja e poetit këtu nuk është e zakonshme; ajo nuk është thjesht fizike, as vetëm shpirtërore. Ajo është një përzierje mes humbjes, vetmisë, harresës dhe sfidës së fundit ndaj fatit. Kur poeti thotë: “Vetëm një varg vaj më paska mbetur”, ai nuk po i referohet një vargu të zakonshëm. Ky varg është fryma e fundit poetike, është klithma e një shpirti që refuzon të heshtë. Dhe ky varg nuk është as i Bodlerit, as i Jeseninit, as i Kadaresë—ai është i vetë poetit, një varg që del nga rrënjët më të thella të ligjërimit shqiptar, aty ku dhimbja nuk shprehet vetëm me fjalë, por me tinguj që mbesin, me klithma që bëhen këngë, me vajtime që shndërrohen në përjetësi. Kjo poezi të dhemb gjer në kockë, sepse nuk është një poezi e thjeshtë. Është një testament i dhimbjes, një dorë e shtrirë nga përtej vuajtjes, një thirrje që nuk shuhet, por vazhdon të kumbojë, një varg vaj që ka forcën të jetojë më shumë se çdo kremte, më shumë se çdo dhimbje, më shumë se vetë poeti.
Lë ta dëgjojmë këtë poezi, në heshtje.
1. Poezia është një rrëfim i dhimbshëm, por edhe një përballje e hapur me realitetin e sëmundjes dhe të mungesës së dëshirës për të kremtuar. Personalisht e dija që poeti ka qenë i sëmurë qysh në shkurtin e vitit 2023, kur publikova sprovën time “Një poezi modern lindur në shtrat balade” për poezinë Çafkat, të cilën poeti e pati shkruar në spital, por qysh atëherë pata menduar se e tejkaloi sëmundjen.
Para 20 ditëve poeti Sabit Rrustemi më dërgoi librin e përgatitur nga poeti “Kur vdesin ngjyrat” me dëshirën që të thosha diçka, mirëpo leximi i tij më tronditi si rrallëherë ndonjë libër me peshën e dhimbjes që mbartte, ndaj e pyeta Rrustemin se a mos ishte i sëmurë Sherefedini. Përgjigja e tij “Është shumë i sëmurë”. Ishte e papritur, çka më ngujoi mbi librin e tij. Dhe ja tani, në postimin e tij Sabit Rrustemi e publikon këtë poezi, që fillimisht më uli kokën me peshën e dhimbjes, por shpejt më flakëroi shikimin me kurajën e poetit.
Në pamje të parë poezia është e thjeshtë, një përgjigje për mikun e tij, Anton Nikë Berishën, ku Kadriu, jo vetëm refuzon ftesën për praninë e tij në një kremte miqsh, por e bën këtë me një ton, ku përzien trishtimin me një formë të heshtur rebelimi ndaj fatit të tij, pse ai nuk e sheh kremten si diçka ku mund të marrë pjesë, sepse për të, një ndjenjë e rëndësishme ka vdekur: “Po, mua m’ka vdekur dashnia për kremte / Ka pesë vjet …”
Është pikërisht heshtja pas tre pikave që lë të kuptohet se kjo gjendje e tij është një proces i zgjatur që ka nisur vite më parë dhe që tani është bërë një realitet i pakthyeshëm.
Këtu shfaqet dhe arsyeja e refuzimit ndaj mikut të tij : “Po sot më paska vdekur edhe një poezi / diku në thellësi të shpirtit”. Ky është një lajm i kobshëm për një poet. Poezia, që për të ka qenë gjithmonë një formë ekzistence, tashmë po vdes brenda tij. Madje dhe kur ai rreshton emrat e poetëve të mëdhenj nga Lorka te Jesenini, nga Kadareja te Pushkini, të krijohet përshtypja se ai e bën këtë me një qasje ironike, sikur po thotë se nuk ka rëndësi kujt i përket vargu i fundit që i ka mbetur, sepse gjithçka po humbet në harresë.
Çuditërisht këtu Kadriu e kthen poezinë në një reflektim mbi qenien dhe veprimin e vdekjes, duke i drejtuar një pyetje mikut të tij: “I dashuri Njeri/ ta përfillesh jetën / a të dhemb mjaftueshëm agonia/që të gërryen për çdo ditë?”.
Ka një nëntekst filozofik te këto vargje: poeti e përjeton sëmundjen e tij si një proces të pashmangshëm dhe pyet nëse miku i tij e kupton këtë dhimbje, me një nëntekst: ta përfillesh jetën? A mund ta përballosh agoninë, siç e përballoj unë?
Duke e parë përsëri strofën që nis me fjalën “I dashur Njeri” ndjejmë se poeti ia drejton pyetjen jo vetëm mikut, personit, por çdo njeriu që njihet me gjendjen e tij. Se, sa i përket marrëdhënies me mikun e tij, kjo është e dukshme te vargjet: “Një fjalë nga Ti e pres/edhe ditëve pa kremte/si një nga ilaçet më të rralla të kësaj bote/sepse n’ato çaste i harroj përpak dhembjet”.
Ka një krahasim : “si një nga ilaçet më të rralla të kësaj bote” që tregon shkallën e miqësisë së tyre dhe jo vetëm e përforcon interpretimin tim të mësipërm, por sidomos, nëpërmjet vargut “Një fjalë nga ti e pres”, poeti nuk është ai që sfidon, por është ai që shpreson te miku dhe miqësia.
2. Unë nuk kam ndërmend të bëj analizën e kësaj poezie, pse kjo analizë duhet të bëhet “ndryshe” dhe duhet të fillojë pikërisht të vargu: “Vetëm një varg vaj më paska mbetur”(/I Lorkës a i Bodlerit/Floberit a Gëtes/Hesses a Eliotit/Nerudës a Jeseninit/Kadaresë a Pushkinit). Përmendja e vargut të vetëm që i ka mbetur dhe fakti se ai është “një varg vaj” është një metaforë e fuqishme që e ngre poetin Kadriu nga shtrati i spitalit me gjithë plagët (varrët) e trupit e të shpirtit që ka tash pesë (nëntë) vjet dhe të dalë në “mejdanin” poetik si një Gjergj Elez Ali i Ri. Këtë mendim nuk ma përforcon dhe aq emri “varg” se sa emri shoqërues “vaj”, që ka kuptimin “gjëmë” (në këtë rast kemi ndërtimin emër plus emër, ku fjala e dytë (vaj) veçanson më tej të parën (varg). Pra, në thelb ky varg është një gjëmë, që do të shkruhet apo do të klithet nga poeti. Unë ju them se kjo fjalë jo vetëm që nuk është pak, por është shumë, më shumë se sa mund të pritet nga një i sëmurë, qoftë ky dhe poet, sepse vargu vaj i kësaj natyre lehtësisht shndërrohet në një monument. A ju kujtohet Ajkuna, vetëm një varg vaj klithi: “T’u shkimtë drita ty, o mori hanë” dhe pas kësaj shpirti e zemra e saj ligjëroi atë monument madhështor e të papërsëritshëm. Apo mos doni t’ju kujtoj Lekë Dukagjinin atë ditë janari në Lezhë, që flokëshpupurisur nga rendja me revan u hodh (nuk zbriti) nga kali dhe qëndroi në gjunjë vetëm një moment, aq sa të mbështeste pëllëmbën në tokë e të belbëzonte dy fjalë: “Iku Kryezoti”. Për një sekondë u gjend në këmbë, ngriti duart drejt qiellit, i shtrëngoi grushat dhe i përplasi në gjoks duke belbëzuar: “Iku Ati”.
Me këto dy fjalë e nisi gjëmën historike, fjalë dhe gjeste që i përsëriste gjithë ushtria shqiptare e porsa kthyer nga beteja. Në fakt, dhe Ajkuna dhe Lekë Dukagjini nuk bënë ndonjë shpikje të re, nënat shqiptare gjithmonë kanë vajtuar me ligje bijtë e tyre dhe burrat shqiptarë kanë vajtuar me gjamë atin, por ky vajtim dhe kjo gjamë u shkruan së pari dhe mbetën në histori. Askush gjer më sot nuk e ka mburrur bukurinë e Ajkunës dhe askush nuk i mban mend betejat e Lekë Dukagjinit, se sa për kanunin ai thjeshtë interpretoi atë të mëparshmin, Kanunin e Maleve. Mirë, të gjithë kujtojnë Vajtimin e Ajkunës dhe Gjamën e Lekë Dukagjinit, pse thjeshtë ato qenë “vargje vaj”. Vargjet vaj janë më të fortat që ka mundur të krijojë njeriu gjer më sot, ato janë të forta si diamanti ndonëse janë të bukura si loti e prej loti, por që brenda tyre kanë forcën e shpirtit. Një varg i tillë është dhe ky “varg vaj” që të ka mbetur ty i dashur Sherefedin.
Ti ndoshta nuk e di, por vargje të tilla unë i hasa të libri yt i fundit “Kur vdesin ngjyrat”, mbi të cilin kam njëzet ditë që kam mbetur “i kryqëzuar” në lexim e shkruaj e shuaj pa pushim. Ti ndoshta nuk e ke ndjerë, por vargje të tilla ka dhe kjo poezia jote e fundit, e cila, jo vetëm që s’të tregon të dobët, por të shfaq tepër modern dhe madhështor.
3. Po të them, i dashur Sherefedin, se kjo poezia vetë nuk është thjesht një vajtim apo rënkim për dhimbjen, mbi të gjitha është sfida e poetit ndaj sëmundjes, ajo është testamenti yt poetik.
Në dukje, miku im, ti shpreh një dorëzim, duke thënë: ”Vetëm një varg vaj më paska mbetur”, por ky varg nuk është gjunjëzim, dorëzimi. Përkundrazi, ai është një akt sfidues, një shprehje (jo e fundit) e fuqisë krijuese. Edhe pse sëmundja po të dobëson, ti ende shkruan. Ende ke një varg që të ka mbetur. Dhe ky varg është yti, i rrënjosur në traditën shqiptare të dhimbjes që shndërrohet në këngë e në kujtesë. Në këtë kuptim, poezia yetë shndërrohet në triumf mbi dhimbjen nga se Ti nuk hesht. Përkundrazi, Ti flet me zë të fortë dhe e sfidon sëmundjen me artin tënd. Mendoj se më kot deklaron se dashuria për kremte të ka vdekur, dashuria për poezinë dhe fuqia e fjalës sate të mbajnë gjallë.
E parë në këtë kontekst kjo poezi është një testament poetik; nuk flet vetëm për dhimbjen personale, por për atë që mbetet pas: vargu, poezia, trashëgimia letrare që lë pas si sfidë ndaj harresës.
A e di si e lexoj unë atë vargun tënd të famshëm: “Vetëm një varg vaj më paska mbetur”?
Nuk e lexoj si një shenjë dorëzimi, por si një pohim se aq sa të ka mbetur, aq do të thuash. Dhe shpesh herë mjafton një varg për tu shkruar një histori.
Ju ende kërkoni fjalën e mikut tuaj Anton Nikë Berishës, e cila asnjëherë nuk ju ka munguar, ende kërkoni dialogun me të, sepse ju zgjidhni të jetoni përmes të shkruarit poezi. Poeti nuk dorëzohet lehtë, sepse poezia është jeta e tij.
Pra, shkruajeni atë varg e shkruani vargje, miku im, le të jetë vargje vaji, le të jetë vargje loti, bota është brenda lotit të poetit dhe Zoti e ka zili nga se poezia është dashuria që nuk vdes. /2LONLINE/
Sherafedin Kadriu
M’KA VDEKUR DASHNIA PËR KREMTE
(Anton Nikë Berishës)
Me mëngjes
më thirre për gëzim
E marr me mend
do t’më uroje kremten e Ditës së madhe
që i jep fund agjërimit
si për herë
prej se u njohëm nga afër
O njeri
a hyjni qofsh
i shtrirë me kollin në jastëk
të trishtova dhe Ty
Ti qofsh i uruar
e shëndetin e botës paç
po, mua m’ka vdekur dashnia për kremte
Ka pesë vjet …
II
Nuk e di
ku paskam tretë
e ku paskam mbërri
po sot më paska vdekur edhe një poezi
diku në thellësi të shpirtit
Vetëm një varg vaj më paska mbetur
I Lorkës a i Bodlerit
Floberit a Gëtes
Hesses a Eliotit
Nerudës a Jeseninit
Kadaresë a Pushkinit
Pak ka rëndësi
Harresa është frymëmarrja e Zotit
me ngufatje metaforash
që ta zbardhin e ta nxijnë gërhitjen e fundit
pa ta varur në kular
I dashuri Njeri
ta përfillesh jetën
a të dhemb mjaftueshëm agonia
që të gërryen për çdo ditë
Apo të vdes në secilën pranverë
para se të kemi jetuar
Pikën e nisjes
Më thuaj
Një fjalë nga Ti e pres
edhe ditëve pa kremte
si një nga ilaçet më të rralla të kësaj bote
sepse n’ato çaste për pak i harroj dhembjet
(30 Mars 2025)
