Dr. Behar Gjoka
/2L ONLINE/ – Libri më i ri i Flamur Malokut titullohet Bryma e zezë dhe, shënon një metaforë të pazakontë, e cila nga njëra anë sendërton semantikën estetike të kundërvënies. Prej kësaj rrethane, të qëmtimit dhe zbulesës së ndjesive më të holla njerëzore, nga ana tjetër, përmes kundërshtisë, shqiptohet kumti i përmbysur, i brymës që gjithherë është e bardhë, porse në shpirtin e poetit, varësisht gjendjes shpirtërore, shpesh zymtohet deri në ngjyrën e zezë.
Bashkëlidhja e dy gjendjeve, thellësisht skajore dhe përjashtuese, ka ndihmuar që të shpërfaqet poetika e kontrastit si ngjyrë. Diskursi poetik i Flamur Malokut, në përmbledhjen e mbrame, ka shënuar shenjën në shtegtimin poetik të autorit, që gjer më tani bart një përvojë të shkrimit letrar dhe studimor. Dyzimi ekzistencial shkrimor i Malokut, në mes kreatives dhe metatekstit kritik dhe studimor, teorikisht dhe praktikisht jep dorë për të patur një ekuilibër, krahasimisht me verifikuesit e akullt që letërsinë e kanë si marrëdhënie jetësimi. Libri e bartë përvojën e dyfishtë, të qëmtiimi dhe frymimit të letrares, për shumëçka që lidhet me fjalën letrare, por veçmas për rrëmimin në universin vetanak, për të qëmtuar grimcat e jetës së jetume, por edhe krejt të fanitun si andërr, që ngjiz poetikën erotike në një ton të ngritur të lirikës meditative.
Kjo prani, e universit të fshehur, tashmë të zbuluar, që për aq kohë ka fjetur si gaca nën hi, strukturohet në dy cikle poetike, të ndërlidhur në ahet shpirtërore dhe në rrafshet estetike, që rimarrin ohet e përvëlimës dashunore të unit të trazuar. Ndjesitë e trazuara, në shpirtin e terratisun në zhgjnadër, zbulohen në pjesën dërrmuese të poezive, madje edhe të varianteve dhe versioneve poetike, që në hapësirat e librit përcillen me numra, por domethënia e zbuluar, në dritën e e diellit, vjen në vargjet e poezisë që emërton gjithë librin Bryma e zezë, ku rroket misteri i botës lirike, e dëshmuar:
Nuk munda me t’prit nga merzia e çmendun/n’hukamen e pritjes tash vizatohet vdekja//n’grimca t’pa numrume hylli shpërndahet n’gjinin tone/në lojna fëmijësh përqafim çdo ditë sëmundjen// Ti nuk e di/bryma udhën e ka veshun në t’zi
Vargu i lirë dhe kumti krejt i hapur, me mbizotërim të metaforikës, e ruan shenjën e komunikimit me bashkëkohësinë, jo si adresë qëllimore, por si një bashkëbisedim shpengues, me u dlirë dhe me shpëtu prej territ të ngujuar në shpirt.
Ndërkaq, shenja gjuhësore dhe letrare, unike në rrekjen për ta përtri ligjërimin poetik në gjuhën shqipe, pra përcjella në variantin letrar të gegnishtes, përlindës i shqipes së shkruar, që të përkujton idenë e hershme të Tomas Eljotit, mbi përkujdesjen e poetit ndaj gjuhës së vetë, është shenja ma e dukshme, e zgjedhur enkas nga poeti, për të shqiptuar ankthin e shpirtit që në poezi e zbulon makthin e unit, si një dalje nga tuneli i territ… /2L ONLINE/