( Drita Fejza: “TRIUMF DASHURIE”, roman, botoi SHB ”Beqir Musliu” – Prishtinë, 2015 )
Xheladin MJEKU
Drita Fejza nuk është emër i panjohur për lexuesin. Ajo prej vitesh është e pranishme me krijimtarinë e saj në letrat shqipe. Tash kur po paraqesim para lexuesit këtë autore, kemi në shqyrtim librin e saj të tretë, romanin “Triumf dashurie”, që vjen pas përmbledhjes poetike “Shpirti i arratisur” dhe novelës për fëmijë “Melodia e pyellit”. Në ecjen e saj prej krijueseje është sprovuar gradualisht nga poezia, proza e shkurtër dhe tash së fundi vjen me zhanrin e romanit, që paraqet një sfidë të dëshmuar prej krijueseje këmbëngulëse dhe me qëndrim të prerë në ecjen e saj të pandalur drejt arritjeve të reja në krijimtari, duke sporvuar veten në disa gjini letrare, paralelisht.
Në romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Rexhep Qosjes takojmë nëntitullin “Trembëdhjetë tregime që e përbëjnë një roman”, derisa te Drita Fejza kemi një organizim struktural të romanit të saj prej njëzetegjashtë tregimesh, që e mbajnë lidhjen konvencionale të ngjarjeve dhe situatave, duke realizuar fabulën e romanit, me paraqitjen e personazheve që trajton. E theksova romanin e Qosjes, jo për të baraspeshuar këto vepra, as për ta identifikuar ndërlidhjen e tyre me formën e shtjellimit të ngjarjeve, por për të krahasuar mënyrën e realizimit të romanit, ku secili tregim këtu vjen i realizuar në stilin dorë për dore, deri në arritjen e qëllimit të ngjarjes dhe tematikës që trajtohet aty. Një komparacion teknik për një realizim, pa u konsideruar si formë e njëjtë shtjellimi e tematikës dhe ngjarjeve të romanit në fjalë.
Atdheu, mbi të gjitha
Romani “Triumf dashurie” i Drita Fejzës, për koncept shtjellimi ka tri shtyllat kryesore, mbi të cilat ndërtohet gjithë fabula e tij. Dashuria si fenomen, vjen këtu në tri dimensione, apo më thjeshtë, në fuqinë e tretë të ndërtimit të ngjarjes, ku dashuria për atdheun është qenësorja, që ndërlidhet edhe me dashurinë sublime për familjen dhe, gjithësesi frutat e kësaj dashurie vijnë të kurorëzuara me vlerat jetike të dashurisë familjare, të fëmijëve dhe jetës së lumtur që synon ta ndërtoj e jetoj kryepresonazhi Ana.
Këtu mund të vlerësojmë formën e narracionit në gjithë romanin, ku Ana (Anëmona) paraqitet si rrëfyese e ngjarjeve, kryesisht në vetën e parë, por duke krijuar edhe dialogun, monologun, etj. e që në një mënyrë bëjnë të kujtojmë se autorja mund të qëndroj prapa, gjithnjë duke u mbështjellur pas petkut të rrëfimtares, me elemente të letrarizimit dhe ndërthurjes imagjinative, duke baraspeshuar ngjarjet me një kohë të jetuar, që përafron me jetën e mërgimtarëve, ashtu si e paraqet edhe biografia e saj, por jo në çdo pikë të shtjellimit në roman, kuptohet. Mbase, qështje imagjinate që koinçidon me realen dhe surealen në raste të këtilla, si një ditar i letrarizuar dhe i baraspeshuar me kohën dhe ngjarjet.
Fabula e romanit fillon që në momentet kur gjithë bota ishte alarmuar për rreziqet e mëdha për shfarosjen e një populli të tërë, duke i shtyrë në një egzod të pafund. Kjo situatë kishte alarmuar edhe botën liridashëse, e cila kishte vendosur të ndërhynte me rrugë paqësore politike dhe diplomatike, por nuk ia arritën të qetësojnë gjaksorët, prandaj e imponuan edhe ndërhyrjen ushtarake për shpëtimin e këtij populli liridashës.
Për arritjen e një paqeje sa më të shpejtë kishin vendosur të lëvizin edhe makineritë e tyre ushtarake, me qëllim të dëbimit të ushtrisë okupatore. Forcat ushtarake ndërkombëtare të përkrahura edhe nga UÇK-ja, e cila kishte kapur armët për çlirimin e atdheut prej disa vitesh, për ta sjellur lirinë e popullit të saj të shumëvuajtur, ia dolën ta dëbojnë definitivisht gjithë makinerinë ushtarake dhe trupat e armatosura të ushtrisë dhe policisë paramilitare të okupatorit nga Kosova. Pikërisht nga këtu nis shtjellimi i ngjarjes në roman, ku menjëherë pas lajmeve të para për fillimin e bombardimeve të NATO-së, fillon epoka e re e familjes së Anës, e cila pa asnjë hezitim fillon përgatitjet e saja për rikthim në atdhe, për të vazhdur një rrugëtim jo edhe aq të lehtë e pa peripeti deri në epilogun hepy end të saj.
“- Të gjithë po kthehen në Kosovë, – tha babai, – po kthehemi edhe ne!” (fq. 6), për të plotësuar vendimin e tij: “ – Amanetin do ta çoj në vend, o vëllezër!”. Qëndrimi i tij “Nuk ishte vetëm dëshira e tij, ishte edhe amaneti i vëllezërve që po na kthente përsëri në Kosovë”, (fq.7). Shikuar nga një realitet i ri që po krijohej çasteve të fundit, edhe familja e Sokolukës i kishte shtuar shpresat për kthim në vendlindje dhe atë dëshirë do ta realizoj plotësisht, pavarësisht përballjes me shumë vështirësi që i takojnë me të ardhur këtu. Me peshën e rëdë të gjendjes së pasluftës, që kishte shkatërruar gjithçka që i duhej një familje për të jetuar në shtëpinë e saj, ata u përballën edhe me dhimbjen e madhe për humbjen e shumë të afërmëve e familjarëve, që edhe më shumë ua vështirësonin jetën, por dashuria e madhe për atdheun i mbante të fortë dhe stoik në ndërtimin e jetës së re. Në këtë kontekst po fillonte jetën e re në fshatin e lindjes edhe kjo familje, që menjëherë pas çlirimit kishte lënë mërgimin dhe kishte ardhur në trojet e tyre stërgjyshore.
Gjatë një leximi të vëmendshëm të romanit herë-herë gjejmë edhe paraqitje episodike, që përsëriten, sidomos kur flitet për çështjet politike dhe pushtetarët, që ia ulin disponimin lexuesit, meqë përsëritja e gjërave dhe veprimeve të njëjta krijon tek ai (receptori) një mëdyshje se autorja, pavarësisht shtjellimit të mirë e me përkushtim të syzheut, në raste të rralla nuk ia ka arritur të lirohet nga brenga e ndikimeve politike brenda shtetit më të ri, që veç sa i kishte vënë themelet, duke u sprovuar në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe diplomatike.
Ajo ende nuk ka krijuar diapazon të mjaftueshëm operativ në trajtimin e temës familjare, duke lejuar që ndikimet rrethanore, qoftë edhe politika ditore të nënkuptohen vetvetiu. Lirimi nga këto “barriera” është paksa i vështirë, kur kemi parasysh prekjet tematike të përditshmërisë në këto çështje shumë delikate, por në botën letrare duhet një kujdes se në çfarë kontesti parashtrohen. Në organizimet dhe zhvillimet e jetës familjare, e rëndojnë paksa atmosferën, edhe ashtu të rënduar nga hallet dhe dhimbjet që e përshkojnë nga pasojat e një lufte të tmerrshme. Por, megjithatë edhe politika e ka “hisen” e vet në çdo kohë, pavarësisht si trajtohet.
Por, për familjen e Sokolukës, e veçanërisht për vet kryefamiljarin, qenësore ishte atdheu, e pastaj familja, të cilën e deshi aq shumë, sa në asnjë mënyrë nuk pranoi ta lë larg nga atdheu. Kulmin e realizimit të kësaj ëndrre e përjeton atëherë kur i kthehet edhe vëllau me familje nga Australia e largët, prej nga kishte mërguar prej vitesh. Ardhja në jetë e nipit të tij të vetëm, ia përmbyll ëndrrën e tij të kahmotshme, duke e plotësuar edhe dëshirën e fundit në krijimin e një lumturie familjare në atdheun e lirë.
Familja – strumbullar i ardhmërisë
“Ky ishte i duhuri, më i përshatshmi që do të më kapte për dore, të shëtisim pa frikë rrugëve të jetës”, (fq. 105), ishte bindja e babait të Anës, kur kishte takuar Sajmirin, të cilit i kishte besuar gjithçka në familjen e tij, duke vlerësuar lartë karakterin e tij prej njeriu të edukuar e të ngritur, me arsimim të pranueshëm për momentet që po jetonin në ditët e pasluftës.
Me vendosjen e familjes në shtëpinë e tij të fëmijërisë, me ngritjen e një jete të re, mbi themelet e kullës stërgjyshore, pavarësisht shkatërrimeve të mëdha nga lufta, Sokoluka kishtë filluar të ndihej i rinuar, me vullnet për jetë dhe dashuri për familjen, që pavarësisht rreziqeve të mundshme që do t’i kishte përjetuar shumë keq me rastisjen e ndarjes së familjes sa ishin në mërgim, ia kishte dal ta ruaj ashtu të bashkuar dhe ta kthej në atdhe.
Ushqente dashuri e respekt për familjen e tij, e cila bashkëvepronte në çdo kohë për gjithëçka i preokuponte në jetë. Ana, vajza e tij e vetme ishte strumbullari i gjithë asaj që e mbante me qëndrim vertikal në një të ardhme të lumtur, por ishte brenga se cili do të jetë fati dhe rruga e saj e ardhshme në një ambientim krejtësisht të ri, nga një kohë e kaluar në perëndim. Tashmë, kur Ana e takon Sajmirin, babait sikur i lehtësohet shpirti nga gjithë ato pakjartësi për situatat që mund t’i krijoheshin në të ardhmen. I ishte hequr nga mendja ai boshllëk dyshimesh e frike se një ditë do të mbesin vetëm me gruan në fshat e Ana mund të katandiset në rrugë tjera, duke dyshuar në kthimin e saj në perëndim.
Derisa vetë Ana kishte hequr dorë nga kthimi i sërishëm në atë vend, prej nga kishte lënë një pjesë të jetës së saj, sa të bukur, poaq edhe të dhimbshme, ku plaga e quajtur Robert po i kujtohej ende. Poashtu, edhe shoqëria me të cilën u rrit i mungonte, por krijimi i një jete të re këtu në atdhe e mbante të fortë dhe kurreshtare për ardhmërinë e saj. Kjo jetë e re i kishte kthyer edhe pasionin e shkrimeve, me të cilat ndihej mirë. Përmes vargjeve të saj po pasqyronte jetën në vendlindje, me njerëz e karaktere të ndryshme, gjithnjë duke prekur frymën e një jete të re në liri. Të gjitha këto e gëzonin pa masë babain e Anës. Ai tashmë ndihej i rrethuar me vëllezër, bashkëfshatarë, miq e shokë, të cilët i gjendeshin në gëzime e hidhërime.
Drita Fejzës nuk i ka munguar shkathtësia për ta paraqitur denjësisht një jetë ashtu si duhej të ishte, me të gjitha vlerat dhe personazhet që e përbëjnë një rrugëtim të besueshëm në këtë familje. Aty gjejmë emra personazhesh nga të veçuarit, e deri në pjesëmarrës statik, që figurojnë si ilustrim i pamjeve të rastit, sidomos në ahengje të familjes, etj. Të tillë janë: Sara. Astriti, xhaxhi Neli me djemtë e tij, Joni me të fejuarën, mësuesi Hafiz, Malinori me nusen, Artiola me Landin, Vali, Arturi, Medriti, Baxhiu, Qëndrimi, etj. Do veçuar skalitjen mjeshtrore të personazheve kryesor në roman, si: Ana (Anëmona), Saimiri, (Andoni), babai Sokoluka, pastaj nëna, Elke, shoqja e ngushtë, Roberti, kirurg dhe ishi i Anës, pa mos i harruar edhe xhaxhi Sokolin me të shoqen australiane Xhenin dhe fëmijët e tyre, Shkurta, nëna e Sajmirit, pastaj Ndue, etj. që përbëjnë një galeri të tërë personazhesh, që gjithësecili prej tyre paraqet rëndësinë e vet në realizimin e suksesshëm të këtij romani.
Dashuria sa vjen e merr shpërfaqjen e saj bindëse, ku përveç asaj për atdheun, dashuria për familjen është ajo që mund të vlerësohet. Padyshim se këtu Sajmiri është gjithësesi ura lidhëse me jetën e re, me ambientimin në vendlindje dhe me krenarinë e saj që po ruan dhe çon tutje dëshirat e prindërve të saj.
Autorja me përkushtim ka krijuar edhe këtë lidhje dashurie, duke iu bashkangjitur asaj për atdheun, që përbëjnë strumbullarin e ekzistencës familjare, në ngritjen e jetës, poashtu plot dashuri, që mund të konsiderohet triumfale në çdo hap.
Triumfi si mesazh
“- Ja kush do të përkujdeset për Sokolukën në pleqëri, – duke e drejtuar djalin kah të pranishmit. _ A do ta këqyrësh Bablokun ti? Po qysh jo, me dylbi. – Të pranishmit qeshën me zë. – Hë mikeshë si thua ti, se edhe ty të jemi borxhli për voglushin që na solli gëzim.
– Ashtu është pasha Krishtin, ashtu është, – iu përgjigj Mrika, duke puthur vazhdimisht duart dhe flokët e djalit të saj.
Sajmiri qeshi. Kësaj radhe buzëqeshja e tij më ndezi dritën e kujtimeve të së kaluarës. Po rikthehej ngadalë, por si duhej në jetë”. (fq.278). Ishin këto pothuajse fjalët e fundit të kryepersonazhit të familjes Sokoluka, i cili po i gëzohej ardhjes në jetë nipit të tij. Ai tashmë ishte i lumtur që po ia shihte fëmijën vajzës së vet, duke konsideruar se familja e tij po shtohej e po bëhej dalëzot i pasurisë së tij këtu në fshat.
Por ky gëzim nuk ishte jetëgjatë, sepse në këtë familje ndodhin ndryshime shumë të mëdha, që manifestohen me dhimbje, vdekje e deri te rikthimi në jetë i Sajmirit, pas shumë mundimeve e trajtimeve shëndetësore në perëndim, ku për koinçidencë, shpëtimtar i vetëm del ish i dashuri i Anës, Roberti, njëri ndër më të dëshmuarit në profesionin e tij prej kirurgu. Një trajtim shumë interesant i kësaj tematike, që këtu arrinë të realizohet si një mbajte në jetë e një miqësie, tashmë familjare, pa mos e shkatërruar në asnjë mënyrë jetën e lumtur të Anës me Sajmirin dhe Triumfin e tyre, që po triumfonte në ngritjen e familjes së tyre, duke u dhënë shpresë se tashmë kanë vënë themelet e pashembura drejt jetës së re, me nipër e mbesa të Sokolukës, i cili kishte lënë lamtumirën e jetës me plotësimin e ëndrrës së tij për familjen dhe atdheun, që i deshi paralelisht.
Gjithë kjo që u potencua këtu sjell një mesazh të fuqishëm për aq sa kuptojmë gjatë leximit të këtij romani, duke besuar se me qëndrueshmëri dhe vetëbesim në arritjen e sukseseve ia del që të realizoj planet dhe synimet në jetë. Ky ishte edhe synimi triumfues i këtij romani që me plot sukses ia del ta realizoj shkrimtarja Drita Fejza.
Përmbyllje me shkas
Përfundimisht mund të vlerësohet se romani “Triumf dashurie” i Drita Fejzës, si tematikë është realizuar mirë dhe ka shtrirje horizontale të ngjarjeve, duke ruajtur me xhelozi temën bosht gjatë tërë shtjellimit te saj. Ky realizim, sa i qëlluar si ngjarje, poaq edhe i ndërtuar me pedantëri prej një pene që mund ta llogarisim, sjell për lexuesin një pjesë të shkëputur fragmentare të jetës së pasluftës së një familje, ndër qindra-mijëra të këtilla, që për motiv ka atdheun dhe rindërtimin e tij në bashkëveprim me organizimin e jetës familjare, në një kohë dhe situatë krejtësisht ndryshe nga ajo që kishte përjetur para luftës së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e sakrificës edhe njëherë, me qëllimin e vetëm, që ta gëzoj e rindërtoj jetën në atdheun e lirë. Sfidat dhe sakrificat bashkëjetojnë nëpër situata të ndryshme, deri në arritjen e qëllimeve, realizimin e ëndrrave dhe ruajtjen e frymës atdhetare.
Gjuha e pastër dhe komunikative, shtrirja e gjërë tematike për të ndërtuar një fabulë konstruktive, pamje që reflektojnë dashuri për njerëzit, vendlindjen, të arriturat dhe mbi të gjitha, për krijimin e një jete harmonike të familjes, për idetë dhe përpjekjet e parreshtura në ndihmën dhe përkrahjen e familjeve të varfëra, njerëzve të traumatizuar e shumë peripeti tjera, e bëjnë këtë roman sa tërheqës, poaq edhe të dëshiruar për lexuesin, i cili nuk mund të ndihet i qetë pa mos e shijuar edhe më tutje frymën rrëfimtare të kësaj autoreje që premton.