Dardanapress nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë në Kamenicë
Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit – Socio Ekonomik në Komunën e Kamenicës”, ka nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë në Komunën e Kamenicës.
Marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i OJQ-së Dardanapress dhe njëherësh Menaxheri i Projektit, Sherafedin Vranja, në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku.
Gjatë takimit, Menaxheri i Projektit, Sherafedin Vranja, e njoftoi Drejtorin Dërmaku lidhur me qëllimin, objektivat dhe aktivitetet që do të realizohen gjatë periudhës së implementimit të projektit.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik të Komunës së Kamenicës përmes promovimit të politikave zhvillimore, rritjes së pjesëmarrjes qytetare, fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit, si dhe identifikimit dhe adresimit të nevojave prioritare që ndikojnë në mirëqenien ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku, u zotua se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje, me qëllim të realizimit të objektivave të projektit dhe avancimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile në Komunën e Kamenicës.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit – Socio Ekonomik në Komunën e Kamenicës” është përkrahur dhe financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal. /2LONLINE/
