Dardanapress mbajti trajnimin me temën: “Roli dhe detyrat e anëtarëve të komiteteve konsultative”
Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”, organizoi një trajnim me temën “Roli dhe detyrat e anëtarëve të komiteteve konsultative”, me qëllim të avancimit të njohurive dhe forcimit të kapaciteteve të anëtarëve të këtyre komiteteve në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.
Qëllimi i trajnimit ishte rritja e njohurive të pjesëmarrësve lidhur me rolin, përgjegjësitë dhe detyrat e anëtarëve të komiteteve konsultative, si dhe rëndësinë e angazhimit të tyre në proceset e vendimmarrjes komunale.
Gjatë trajnimit u diskutua për rolin dhe funksionimin e komiteteve konsultative, me theks të veçantë të Komitetit për Zhvillim Ekonomik, përgjegjësitë e anëtarëve, si dhe rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit me institucionet komunale. Gjithashtu, u theksua rëndësia e përfshirjes së qytetarëve në proceset e konsultimit publik dhe të vendimmarrjes lokale.
Rekomandimet e dala nga trajnimi: Fuqizimi i rolit të komiteteve konsultative në proceset e vendimmarrjes komunale, përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet komiteteve konsultative dhe institucioneve komunale, rritja e transparencës dhe llogaridhënies në punën e komiteteve konsultative, përcjellja e rekomandimeve dhe konkluzioneve të dala nga mbledhjet e komiteteve konsultative tek organet përkatëse komunale, me qëllim të shqyrtimit dhe adresimit të tyre.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal. /2LONLINE/
