Dardanapress mbajti trajnimin: “Barazia gjinore, të drejtat e njeriut dhe parandalimi i diskriminimit “
Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Barazia Fillon me Edukimin – Fuqizimi i Grave dhe të Rinjve për një Shoqëri të Barabartë”, mbajti trajnimin me temën “Barazia gjinore, të drejtat e njeriut dhe parandalimi i diskriminimit “.
Qëllimi i trajnimit është ngritja e vetëdijes dhe avancimi i njohurive të grave, vajzave dhe të rinjve mbi barazinë gjinore, të drejtat e njeriut dhe parandalimin e diskriminimit, si dhe zhvillimi i aftësive të tyre praktike në komunikim, lidership, vendimmarrje dhe pjesëmarrje qytetare.
Gjatë trajnimit u trajtuan disa çështje të rëndësishme, ndër të cilat: Barazia gjinore, të drejtat e njeriut dhe parandalimi i diskriminimit, zhvillimi i aftësive praktike në komunikim, lidership, vendimmarrje dhe pjesëmarrje qytetare, fuqizimi dhe përfaqësimi i grave dhe të rinjve në institucionet publike, roli i grave, vajzave dhe të rinjve në promovimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes në shoqëri.
Nazmije Demolli-Kastrati, Koordinatore e NJKDNJ-së dhe Zyrtare për Mbrojtje nga Diskriminimi, në diskutimin e saj theksoi rëndësinë e promovimit të barazisë gjinore, respektimit të të drejtave të njeriut dhe parandalimit të diskriminimit, duke ndarë përvojat nga puna në nivel lokal në Komunën e Kamenicës. Ajo potencoi nevojën për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, fuqizimin e rolit të grave në vendimmarrje, mbrojtjen e kategorive më të cenueshme dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim që politikat dhe obligimet ligjore të zbatohen në praktikë dhe të sjellin rezultate konkrete për qytetarët.
Përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit patën mundësi të thellojnë njohuritë e tyre mbi të drejtat dhe përgjegjësitë qytetare, rëndësinë e përfaqësimit të barabartë dhe mënyrat konkrete të përfshirjes në proceset e vendimmarrjes.
Rekomandimet e dala nga trajnimi janë: Të promovohet barazia gjinore dhe respektimi i të drejtave të njeriut në të gjitha nivelet e shoqërisë, Të rritet pjesëmarrja e grave, vajzave dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse lokale, Të krijohen më shumë mundësi për fuqizimin dhe përfaqësimin e grave në institucionet publike, Të organizohen trajnime dhe aktivitete vetëdijesuese për parandalimin e diskriminimit, Të zhvillohen aftësitë e komunikimit, lidershipit dhe aktivizmit qytetar te gratë dhe të rinjtë, Të forcohet bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve për një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
Projekti “Barazia Fillon me Edukimin – Fuqizimi i Grave dhe të Rinjve për një Shoqëri të Barabartë” është financuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës. /2LONLINE/
