Dardanapress mbajti debatin: “Roli i grave dhe të rinjve në zhvillimin e komunitetit dhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë”
Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Barazia Fillon me Edukimin – Fuqizimi i Grave dhe të Rinjve për një Shoqëri të Barabartë”, mbajti debatin me temën “Roli i grave dhe të rinjve në zhvillimin e komunitetit dhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë”.
Qëllimi i organizimit të debatit ishte diskutimi dhe promovimi i rolit të grave dhe të rinjve në zhvillimin e komunitetit, në proceset vendimmarrëse dhe në ndërtimin e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe demokratike, duke identifikuar sfidat, problemet dhe pengesat me të cilat përballen gratë dhe të rinjtë.
Gjatë debatit u diskutua për disa nga çështjet kryesore që lidhen me pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse, mundësitë për përfshirjen e tyre në institucionet publike dhe në jetën shoqërore, si dhe rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta për arsimim, punësim dhe zhvillim profesional. Po ashtu, u trajtuan sfidat që pengojnë pjesëmarrjen e tyre aktive në zhvillimin e komunitetit, rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve komunale dhe shoqërisë civile, si dhe nevoja për fuqizimin e grave dhe të rinjve për të kontribuar në vendimmarrje dhe në avancimin e barazisë gjinore.
Kryesuesja e Kuvendit, znj. Arbnore Beqiraj Fera, theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të grave dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse. Ajo nënvizoi se krijimi i mundësive të barabarta dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile janë thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
Rekomandimet e dala nga debati janë: Përfshijnë rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse, promovimin e barazisë gjinore, fuqizimin e të rinjve përmes edukimit, trajnimeve dhe mundësive për punësim e zhvillim profesional, përfshirjen e grave dhe të rinjve në konsultimet publike, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve komunale dhe shoqërisë civile, ndërgjegjësimin e qytetarëve për barazinë dhe mosdiskriminimin, mbështetjen e iniciativave të grave dhe të rinjve që kontribuojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e jetës shoqërore, si dhe krijimin e mundësive për përfaqësim më të madh të grave dhe të rinjve në këshilla, komitete dhe mekanizma të tjerë konsultativë.
Në këtë debat morën pjesë kryesuesja e Kuvendit, znj. Arbnore Beqiraj Fera, përfaqësues të drejtorive komunale, koordinatorja e NJKDNJ-së, përfaqësues të Handikos-it, përfaqësues të grupit joformal të grave, përfaqësues të qendrës rinore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale.
Projekti “Barazia Fillon me Edukimin – Fuqizimi i Grave dhe të Rinjve për një Shoqëri të Barabartë” është financuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës. /2LONLINE/
